Gazeta Si – Një ditë pas ngjarjes së rëndë, ku një minator 29-vjeçar A.P., humbi jetën dhe u plagos kolegu i tij, H.B., 40 vjeç, është arrestuar administratori i minierës në Martanesh.
Policia e Bulqizës ka arrestuar administratorin e minierës ku një ditë më parë humbën jetën vagonisti 29-vjeçar A.P. dhe u plagos rëndë kolegu i tij H.B. 40 vjeç.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë G.P. 38 vjeç, administrator dhe brigadier i subjektit minerar. Ai akuzohet për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.
Nga hetimet rezultoi se për shkak të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, brenda në galeri u shemb një masiv gurësh, duke zënë poshtë dy minatorët. Njëri prej tyre humbi jetën menjëherë, ndërsa 40-vjeçari ndodhet i plagosur në spital.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




