Një banore e Shijakut humbi jetën dy ditë më parë në spitalin rajonal të Durrësit pasi u paraqit në gjendje të rëndë shëndetësore. 36-vjeçarja Margarita Keçi u paraqit në qendrën shëndetësore Shijak për të marrë ndihmë shëndetësore nga mjeku i familjes dhe më pas nga mjeku i qendrës shëndetësore.
Gjendja e saj nuk u përmirësua dhe ajo shkoi sërish në qendrën shëndetësore dhe prej andej u dërgua urgjent nga vetë familjarët në spitalin Rajonal të Durrësit ku pas 2 orësh ndërroi jetë.
Drejtoresha e qendrës shëndetësore Shijak Rovena Çeliku është shprehur se 36-vjeçarja ka pasur dhimbje stomaku dhe të vjella dhe ka marrë ndihmë mjekësore por ajo ka rezultuar e padobishme.
“Realisht 36-vjeçarja ka humbur jetën për shkak të diagnozës me gastrik akut. I është dhënë ndihma nga mjekja e familjes, gjendja nuk u përmirësua, u paraqit sërish në urgjencë, mori shërbim sërish. Mjeku respektoi protokollin e barnave. U largua për në Durrës me makinë private, por më pas morëm vesh se ndërroi jetë. Por nuk mund të them konkretisht shkakun, jemi në pritje të autopsisë”, është shprehur Rovena Çeliku.
Ndërkohë, pritet autopsia për të zbuluar shkakun e vërtetë të vdekjes së saj. Një ditë më parë, policia procedoi penalisht dy mjekët e Qendrës Shëndetësore të Shijakut, me detyrë mjekë familjeje, për dyshime se nuk i kanë ofruar mjekimin e duhur viktimës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




