Fakte të reja në lidhje me aksidentin me helikopter që i mori jetën ish-basketbollistit të famshëm, Kobi Brajant. Janë 1700 faqe material në dosjen hetimore të atij aksidenti fatal, për të cilin ende nuk ka qartësisht një fajtor. Por, nga raporti i fundit i publikuar nga “National Transportation Security Board” është gjithmonë e më e kuptueshme se helikopteri, me të cilin udhëtonin Kobi Brajant, vajza e tij Xhana dhe 7 persona të tjerë, u rrëzua atë mëngjes të 26 janarit pas një serie gabimesh të pilotit Ara Zobaian, që gjithashtu ndërroi jetë.
Zobajan, 50 vjeç, ishte një pilot ekspert, ishte piloti kryesor i kompanisë dhe atë të diel, pavarësisht mjegullës së dendur, vendosi ta bënte udhëtimin. Në orën 9:06 ai nisi fluturimin nga aeroporti “John Wayne”, për të çuar Brajant dhe personat e tjerë në Thousand Oaks, në një turne të vajzës së ish-basketbollistit. Helikopteri duhej të nisej në orën 9:45, por Kobi kërkoi që nisja të bëhej më shpejt, sepse donte të shihte edhe ndeshje të tjera të turneut.

Sipas raportit të fundit, kompania e helikopterëve kishte anuluar ose shtyrë të paktën 13 fluturime ditët e mëparshme, megjithatë Zobajan kishte vendosur që ai i ish-basketbollistit të bëhej, sepse kushtet e motit, edhe pse të vështira, nuk ishin më keq së ditët e tjera, kur vetë piloti kishte çuar Kobi Brajant dhe disa të tjerë në Orange County.
Nga raporti i dalë pas hetimeve, ku janë pyetur të gjithë ata që kanë pasur një rol të caktuar në organizimin e fluturimit të 26 janarit, kuptohet se piloti Zobajan ishte i çorientuar krejtësisht në momentin e përplasjes. Ai i kishte komunikuar kullës së kontrollit se po ngjitej në lartësinë e 1220 metrave, ndërkohë që po zbriste. Nga 1700 faqet e hetimit është rindërtuar minuti i fundit i fluturimit, sipas komunikimit të pilotit me kullën e kontrollit dhe është e qartë se Zobajan ishte çorientuar.

“Para përplasjes, duke iu përgjigjur një pyetjeje të kullës së kontrollit, piloti tha se po ngrihej, ndërkohë që po ulej, – shkruhet në raport. – Kur një pilot është konfuz në lidhje me lartësinë dhe shpejtësinë, ai vuan nga iluzioni somatogravik”. Në orën 9:45, në qendrën e kontrollit të “Island Express”, helikopteri i Kobi Brajant humbi çdo sinjal. “Po përpiqeshim ta kapnim në radio Arën, – ka deklaruar Uitni Bejxh, zëvendëspresident i “Island Express”. – Shpresonim të ishte një defekt”. Por helikopteri ishte përplasur me 296 kilometra në orë me një kodër, duke shpërthyer në flakë.
Në atë aksident, përveç Kobi Brajant, vajzës së tij dhe pilotit Ara Zobajan, humbën jetën edhe Xhon, Keri dhe Alisia Altobeli, Kristina Mauser, Sarah dhe Paiton Çester. Autopsia e trupit të pilotit kishte përjashtuar praninë e drogës apo alkoolit në gjakun e tij. Raporti i parë kishte përjashtuar problemet mekanike të helikopterit. Hetimi vazhdon dhe përfundimi i tij është parashikuar për vitin e ardhshëm.
Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përktheu: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




