Gazeta Si – Një përpjekje për t’i vendosur eksploziv një anije për konkurrencë dhe në shenjë hakmarrjeje, ka qenë shkaku i vdekjes së 52-vjeçarit Armandi Nelaj rreth një muaj më parë në Portin e Sarandës.
Policia njofton se ka zbardhur ngjarjen e 24 qershorit të këtij viti, ku është arrestuar 35-vjeçari Eridion Muho dhe humbi jetën bashkëpunëtori i tij Nelaj si pasojë e shpërthimit.
LEXO EDHE:
– Humbi jetën gjatë shpërthimit në Sarandë, dyshohet për atentat me tritol ndaj 52-vjeçarit. Pritet akti-ekspertimi
– Përfshihet nga flakët në kalatën e portit trageti i linjës Sarandë-Korfuz
Vdekja e tij u raportua fillimisht si aksidentale nga plasja e bombolës së oksigjenit, por më pas hetimet u shtrinë në pistën e atentatit, ku shkak dyshohet se është përplasja mes dy linjave të transportit detar që vrau 52-vjeçarin me eksploziv.
Një muaj më vonë, nga hetimet doli se vdekja e zhytësit, jo vetëm që nuk ishte atentat, por ai humbi jetën teksa po tentonte t’i vinte eksplozivin anijes së konkurrentit që dyshohet se i dogji anijen në maj.



Konkurrencë dhe hakmarrje!
Në fakt, Nelaj bashkë me mikun e tij, Eridion Muho kishin planifikuar që t’i vendosnin tritol një anije turistike, ‘Finikas Lines’, për motive konkurrence, por para së gjithash për hakmarrje.
Ishte paraditja e 5 majit 2024, kur në portin e Sarandës u dogj trageti i linjës drejt Korfuzit. Ngjarja u mbyll pa autorë dhe pa shkak, ndërsa më 24 qershor një shpërthim me eksploziv i mori jetën zhytësit 52-vjeçar, Armand Nelaj.
Një muaj më vonë, nga hetimet u zbulua se dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe vdekja e zhytësit e ka zanafillën nga një konflikt për konkurrencë mes dy pronarëve të mjeteve të lundrimit.
Sipas burimeve praprake, anija e djegur ishte në pronësi të Eridion Muhos dhe pikërisht, ai kishte planifikuar hakmarrjen ndaj konkurrentit që donte t’i vendoste eksploziv, por e pësoi vetë.
Zhytësi që ai kishte ngarkuar për të vënë eksplozivin, i kishte plasur pa e vendosur ende në anije, duke i marrë jetën në vend.
Versioni i policisë
Pas zbardhjes së ngjarjes, policia njoftoi se ka vënë në pranga 35-vjeçarin Eridion Muho, ndërsa hetimet do të vazhdojnë.
“Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 24.06.2024, në portin e Sarandës, ku si pasojë e një shpërthimi në det, humbi jetën shtetasi A.N,”, – njofton policia. Si rezultat i hetimeve, është ndaluar 35-vjeçari E. Muho, banues në Sarandë. Dyshohet, se ai në bashkëpunim me 52-vjeçarin kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence. Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije dhe si pasojë ka humbur jetën 52-vjeçari Nelaj”, – bën të ditur policia e Sarandës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




