Nga Gazeta Si- Një 13 vjeçare me origjinë shqiptare ka vdekur më 25 tetor në Piacenza të Italisë, pasi ra nga kati i shtatë i pallatit ku jetonte. Fillimisht u raportua për vetëvrasje por më pas rrjedha ndryshoi, me të dashurit e saj (15 vjeç) si i dyshuar për vrasjen.
“Për momentin ende nuk mund të themi me siguri nëse ka qenë vetëvrasje apo vrasje”, shpjegoi për mediat italiane prokurori Giuseppe Di Giorgio.
“Rezultati i autopsisë do të jetë vendimtar për rindërtimin e dinamikës. Bashkë me dëshmitë e mbledhura dhe konstatimet e bëra nga karabinierët, do të mund të rindërtojmë dinamikën e kësaj ngjarje shumë të trishtë”, tha avokatja Lorenza Dordoni, e cila asiston nënën e Aurorës, 13-vjecares së ndjerë.
Fillimisht ishte dëshmia e 15-vjecarit ajo që vuri në dyshim familjarët e të ndjerës. Ai tha para policisë se vendimin për t’u hedhur e ka marrë e vetme dhe ka qenë vullneti i saj.
Duke cituar familjen e djalit, mediat italiane shkruajnë se ai është në ‘shock’ dhe nuk flet me asnjë.
Në marrjen në pyetje, në përfundim të së cilës u la i lirë, ai mohoi çdo përgjegjësi, duke deklaruar se ai kërkoi ndihmë nga fqinjët, të cilët më pas thirrën 118 pasi pa që vajza u hodh nga pallati.
Por, nga ana tjetër, familjarët e vajzës e cilësojnë ish-të dashurin si njeri obsesiv dhe xheloz.
Familja e 13-vjeçares do të paraqesë prova në Prokurorinë e të Miturve, e cila po koordinon hetimet e njësisë hetimore të Karabinierëve. Do të prezantohen dokumente, si dëshmi miqsh dhe biseda të vajzës së ndjerë nga ku dallohet sjellja obsesive e të dashurit 15-vjeçar të arrestuar.
Familja nuk e ka besuar asnjëherë pistën e vetëvrasjes, siç pretendonte i dashuri dhe është e bindur se ishte një vrasje.
Motra e madhe e 13-vjeçares është e bindur se Aurora nuk ka bërë vetëvrasje, por pretendon se është hedhur nga tarraca e pallatit nga ish i dashuri i saj
Ai dyshohet se e ka rrahur dhe e ka hedhur poshtë, duke e bërë atë të bjerë shtatë kate.
Në rrjetet e saj sociale, motra e viktimës shkruan se nuk do të heshtë kurrë dhe se vrasësit duhet të shkojnë në burg,
Sipas motrës së Aurorës, ai “e rrahu, e tërhoqi zvarrë në katin e shtatë dhe e hodhi poshtë. Pas kësaj ai shkoi në lokalin poshtë, lau duart dhe thirri 118 duke thënë se ajo kishte bërë vetëvrasje”.
Ajo tha për La Stampa se M.S., shkoi në shkollë dhe në shtëpinë e tyre për ta takuar, edhe pa qenë i ftuar. Ajo raporton se i ka rrëmbyer celularin nga xhelozia dhe tregon edhe për një shuplakë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.