Treg

Tjetër rënie e eksporteve, 33 mld lekë më pak deri në shtator

Nga Gazeta ‘SI’ – Eksportet pësuan një tjetër rënie të fortë gjatë muajit shtator, me humbje 13% nga viti i shkuar me një vlerë totale 34 mld lekë. Në krahasim me gushtin, eksportet kanë rezultuar në rritje me 22%.

Një rënie akoma më të fortë kanë pësuar importet, me 16.6%, duke arritur vlerën e 73 mld lekëve. Nga gushti 2023, ato janë rritur me 8.3%.

Defiçiti tregtar i shtatorit është ulur me pothuajse 20% për shkak të rënies së të dy treguesve, duke arritur në 40 mld lekë nga viti në vit. Nga gushti ka rënë vetëm me 1.2%.

Situata e përkeqësuar lidhet me zhvlerësimin e euros në vend duke i shkaktuar humbje të mëdha bizneseve eksportuese që kryejnë transaksionet e tyre në euro. Përmirësimi i lehtë gjatë shtatorit lidhet me një stabilizim të kursit të këmbimit gjatë kësaj periudhe.

Për të gjithë nëntëmujorin janar-shtator, eksportet shqiptare kanë humbur 9% të vlerës së një viti më parë, duke qëndruar në nivelin e 333 mld lekëve.

Ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 650 mld lekë, duke u ulur me 6.5%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 317 mld lekë, duke u ulur me 3.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.

Sipas INSTAT, dy grupet që kanë regjistruar rënien më të madhe të eksporteve gjatë muajit të kaluar ishin “minerale lëndë djegëse e energji”, me 27,5% dhe tekstile e këpucë me 9.5%.

Për 9 mujorin grupet me ndikimin me të madh në uljen e eksporteve janë materialet e ndërtimit dhe metalet me 7.2 p.p, ndjekur nga lëndët djegëse dhe energjia me 1.5 p.p.

Gjatë këtij nëntëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (10%), Gjermania (31%), SHBA (71,3 %), etj. Ndërsa vendet me të cilin eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, është: Kosova (12,0 %), Greqia (16,8 %), Maqedonia (4,9 %), etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë