Gazeta Si – Të tjera polemika në Turqi. Ditën e rifillimit të kampionatit pas pezullimit për goditjen e arbitrit Meler nga presidenti i Ankaragyçy, Faruk Koca, një tjetër president është bërë protagonist. Jo me dhunë këtë herë, por sërish ka të bëjë me arbitrimin.
Në minutën e 73-të ndeshjes Instabulspor-Trabzonspor, e vlefshme për javën e 17-të të kampionatit, presidenti i ekipit vendës, Ecmel Faik Sarıalioglu, ka tërhequr skuadrën e tij nga fusha. Ishte momenti kur rezultati shkoi në 1-2 në favor të miqve.

Numri 1 i klubit ku luajnë edhe futbollistët shqiptarë Rroca (nuk luante për shkak dëmtimi), Et’hemi dhe Loshaj, kundërshtoi vendimin e arbitrit Ali Sansalan për të quajtur të vlefshëm golin e Trabzansporit. Në atë rast presidenti dhe lojtarët e Istanbulsporit pretendojnë se ka një faull ndaj Loshajt.
Sarıalioglu zbriti në fushën e blertë dhe komunikoi me futbollistët e tij, duke u thënë që të tërhiqeshin. E kotë ndërhyrja e presidentit të Trabzonsporit për t’i ndryshuar mendjen kolegut. Edhe disa lojtarë u përpoqën ta bindnin që të vazhdonte ndeshja, por pa rezultat.
Një tjetër ngjarje e trishtë kjo për futbollin turk, që në një kohë shumë të shkurtër ka marrë dy herë vëmendjen me veprime të çmendura të presidentëve të klubeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




