Qendra “masazhesh”, prostitucion online dhe gjetja e një sponsori që në shumicën e rasteve është i martuar dhe me fëmijë. Këto janë vetëm disa nga format sesi të rejat, zgjedhin të shesin trupin, në përfitim të të mirave materiale, një jetë më të sigurt dhe pse jo, nisjes së një karriere, pa qenë nevoja të stërmundohesh. Në shumicën e rasteve, ky fenomen vjen si pasojë e varfërisë, por sipas një investigimi të realizuar së fundmi nga BBC, vjen edhe për shkak të ambicieve. Rrjeti televiziv britanik shkruan se në vendet e botës së tretë, po shtohet dita-ditës numri i vajzave të reja që janë duke gjetur burra të pasur për të financuar një mënyrë jetese që ia vlen të postohet në mediat sociale. Shitja e trupit vinte dikur nga varfëria, por tani po nxitet gjithnjë e më shumë, nga ambicia, dëshira për të jetuar me luksit apo për t’u bërë e famshme.
Nevoja apo dëshira?
Eva, një studente 19-vjeçare në Kolegjin e Nairobit, po qëndronte ulur në dhomën e saj të vogël në lagjen më të varfër të qytetit, e uritur dhe e dëshpëruar. Ajo shfrytëzoi paratë e fundit që i kishin mbetur në portofol për të marrë autobusin që shkonte në qendër të qytetit, ku kërkoi njeriun e parë që do ta paguante për të kryer marrëdhënie seksuale. Pasi kaloi 10 minuta në një rrugicë të zymtë, Eva u kthye në dhomën e saj, me dhjetëfishin e parave të kishte, të mjaftueshme për të kaluar pjesën tjetër të muajit.
Gjashtë vjet më parë, kur ishte në universitet, Shiro, mikja e saj e ngushtë, takoi një burrë të martuar rreth 40 vjet më të madh. Në fillim, ai i ofronte vetëm ushqime dhe veshmbathje, por pastaj erdhën udhëtimet e shumta nëpër resorte. BBC shkruan se pas dy vjetësh, ai i bleu një apartament të ri, sepse donte që të kishin më shumë intimitet. Në këmbim, ai shkon për të kaluar natën bashkë sa herë ka kohë të lirë.
Megjithatë, dy mikeshat nuk janë njësoj. Eva shiti trupin e nxitur nga dëshpërimi, ndërsa historia e Shiros ilustron një fenomen më kompleks: ofrimin e bukurisë dhe rinisë për përfitime financiare afatgjata, të motivuara jo nga uria, por nga ambiciet, të cilat duket se ushqehen shpesh nga rrjetet sociale. Burrat e moshuar kanë përdorur gjithmonë dhuratat, statusin dhe ndikimin për të joshur vajzat e reja. Të ashtuquajturit “sugar daddy” janë gjithnjë të pranishëm në ambientet studentore, duke gjuajtur “viktimën” e tyre të radhës. Edhe pse lindi fillimisht në Perëndim, ky fenomen ka marrë një përhapje të frikshme në vendet e botës së tretë, ku marrëdhëniet mes vajzave të reja dhe burrave të martuar janë bërë të zakonshme dhe të dukshme.
Sipas BBC, ajo që dikur mundohej të mbahej e fshehtë, bëhet tanimë në “dritën e diellit”. Është e vështirë të thuhet kur nisi të përhapej me këto rimte ky fenomen dhe pse pranohet e reklamohet në rrjetet sociale. Ndoshta mund të ketë nisur që në vitin 2003, kur dolën videot e para të Kim Kardashian, ose pak më vonë kur Facebook dhe Instagram pushtuan botën. Por tani kemi arritur në një pikë ku burrat e moshuar shihen si “sponsor” për një jetë më të mirë, për udhëtime, veshje, darka, dhe luks që ia vlen të mburresh në Instagram.
Sipas “BBC” në Nairobi situata ka marrë përmasa shqetësuese. “Mjafton të dalësh një natë të premteje dhe të ulesh në baret e famshme të qytetit. Sheh dhjetëra makina luksoze që drejtohen nga shoferët e ministrave dhe politikanëve. Ata janë dërguar për të marrë vajza të reja”, thotë Silas Nyanchëani, një i ri që ka studiuar në Universitetin e Nairobit .
Sipas një studimi të realizuar kohët e fundit, afërsisht 20% e të rejave nga vendet e botës së tretë kanë ose kanë pasur një “sponsor”. Jane, një studente 20-vjeçare nga Kenia pranon se ka dy sponsorë dhe thotë se nuk ka asgjë të turpshme në marrëdhënie të tilla. Për të, ato janë pjesë e sakrificave të përditshme që duhen për të mbijetuar. Ajo gjithashtu këmbëngul se marrëdhëniet e saj me Tomin dhe Jefin, të dy të martuar, përfshijnë miqësinë, intimitetin dhe të mira materiale. “Ata më ndihmojnë gjithmonë, por jo gjithmonë në lidhje me seksin. Ndonjëherë ata duan thjesht shoqëri, dikë me të cilën mund të flasin”, thotë ajo.
“Dua të bëhem e famshme!”
Sipas “BBC”, më e njohura në mesin e vajzave të reja që bëjnë një jetë luksoze falë “sponsorëve” në Kenia është Vera Sidika, e cila ka filluar një karrierë si kërcimtare, bazuar në famën dhe fizikun e saj.
“Trupi im është biznesi im, është fabrika ime e parave”, tha ajo në vitin 2014, kur diskutoi publikisht në një televizion kombëtar marrëdhëniet me burrat e martuar. Në ditët e sotme, Vera e promovon veten si një sipërmarrëse dhe drejton një markë të suksesshme të produkteve bimore.
Grace nga ana tjetër, 25 vjeç dhe nënë e një vajze, ka një sponsor të rregullt, por po kërkon një marrëdhënie më fitimprurëse me një burrë që do të investojë në karrierën e saj si këngëtare. Ajo është e varfër, si shumica e kenianëve të klasës së mesme dhe arrin shpesh të sigurojë të ardhura për ta çuar vajzën në shkollë duke vallëzuar në një klub nate. Por vendosmëria e saj për të ushqyer dhe edukuar fëmijën e saj, duket se i bashkohet edhe një ambicies për t’u bërë e pasur dhe e famshme përmes modelimit dhe muzikës.
“Unë dua jem një yll”, thotë ajo, duke cituar jo vetëm Vera Sidikan, por edhe Beyoncén. A vjen ky fenomen nga varfëria, aspiratat apo dëshpërimi? Sipas BBC, është e paqartë. Të dyja, si Grace dhe Vera, janë rritur me imazhet e femrave që përdoren si objekte seksi. Por sipas Crystal Simeoni, një eksperte për politikën gjinore, përhapja e rrjeteve sociale po inkurajon edhe më shumë gjetjen e një sponsori.
“Femrat janë bërë më të gatshme të përfitojnë financiarisht nga rinia dhe bukuria e tyre- thotë ajo- Kjo vjen jo vetëm për shkak të varfërisë, por edhe dëshirës për të pasur një jetë më të mirë, si ajo e yjeve që ndjekin në rrjetet sociale.”
Rreziqet
Michael Soi, një artist i mirënjohur nga Kenia, thotë se fenomen po përhapet kaq shumë ne vendet e varfra për shkak të përtacisë së vajzave të reja për të punuar dhe ecur përpara.
Por sipas “BBC”, fenomeni prek edhe meshkujt. George Paul Meiu, një studiues i njohur, shprehet se edhe një sërë meshkujsh afrikanë kanë filluar të lidhen me gra më të mëdha në moshë për përfitime financiare. “Mitet mbi meshkujt afrikanë dhe aftësitë e tyre seksuale i bëjnë shumë tërheqës në sytë e grave perëndimore. Shumica prej tyre e kalojnë verën në plazhet europiane, duke u shtrirë në çadër duke pritur që gratë perëndimore të shkojnë pas tyre për një aventurë verore”, shprehet ai.
Por ato që kanë dominuar debatin publik kanë qenë vajzat e reja, mes akuzave për imoralitetin dhe stilin e gabuar të jetesës, por edhe për pasojat për shëndetin e tyre.
Një 27 vjeçare nga Kisii thotë se dy burrat e martuar me të cilët ka marrëdhënie intime, Alfredi dhe Xhejmsi, preferojnë të mos përdorin prezervativë. Në fakt ajo ka pasur marrëdhënie seksuale me shumë “sponsor”, të cilët kanë marrëdhënie seksuale me gratë të tjera, si dhe me gratë e tyre, duke i ekspozuar të gjitha këto partnere ndaj rrezikut të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
“Megjithatë unë preferoj më mirë të gjej një sponsor, sesa të jetoj mes katër rrugëve,” thotë ajo.
Për shumë të reja nga vendet e botës së tretë, vlerat që përkrahin familjen, shkollimin dhe kishën thjesht nuk përputhen me realitetet ekonomike të vendit. Edhe brenda familjes, shumica e vajzave edukohen që në moshë të vogël se duhet të martohen me një njeri të pasur dhe jo me një të varfër.
“Ç’të keqe ka të përdorësh seksin për të mira materiale gjithsesi?- pyet Grace- Njerëzit thonë lart e poshtë se është imorale, por ndonjëherë është e nevojshme për të mbijetuar”.
Prostitucioni online në Shqipëri
Ky fenomen duket se është përhapur ndjeshëm edhe në Shqipëri, sidomos në formën e prostitucionit online. Brenda një harku të shkurtër kohor, në kryeqytet u mbyllën pak muaj më parë katër qendra masazhi dhe SPA-je, të cilat përdoreshin për prostitucion. Policia ka nisur hetimet pas informacioneve se në ambientet e disa qendrave estetike ushtrohej prostitucion kundrejt pagesave ekstra. Pronarja e një prej qendrave dyshohet se organizonte punën, duke lidhur vajzat e reja me klientë të pasur dhe duke u ofruar këtyre të fundit marrëdhënie seksuale në forma të ndryshme nga punonjëset.
Ndërkohë, rreth një vit më parë 6 vajza të reja nga mosha 17 vjeç deri ne 21 vjeç u arrestuan teksa ushtronin prostitucion virtual në një sallë të improvizuar me kompjuterë dhe kamera online. Policia e Tiranës arrestoi 7 persona, mes tyre edhe administratoren, e cila përveç menaxhimit bënte rekrutimin e vajzave te reja që jepnin shfaqe erotike kundrejt pagesës online. Në apartamentin në Bulevardin Bajram Curri u sekuestruan 11 kompjuterë dhe 16 lodra seksi. Ky ishte aksioni i tretë i policisë së kryeqytetit në goditjen e grupeve që ushtrojnë aktivitete te tilla.
Por pa kaluar ende disa muaj, policia zbuloi një tjetër bazë të prostitucionit online, ku arrestoi dy persona dhe vuri nën hetim shtatë të tjerë. Nga veprimet hetimore rezulton se administratorja prej një kohe të gjatë, punësonte vajzat e e reja dhe i shfrytëzonte ato për prostitucion virtual, aktivitet i cili kryhej në një apartament në rrugën “Don Bosko”. Gjatë kontrollit të njërit prej apartamenteve ku ushtrohej ky aktivitet i paligjshëm, u gjet edhe lëndë narkotike e dyshuar “Cannabis Sativa”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.