Frymëzuar nga emri Osman i një gazetari të ndodhur në oborrin e Partisë Demokratike, teksa hynte në godinë nga një derë anësore, Lulzim Basha u duk se e ka marrë me sportivitet protestën poshtë zyrës së tij të thirrur nga Sali Berisha në mesditë.
“Mirëmëngjesi, qenke zgjuar herët shumë. Bravo të qoftë. Ndryshe nga vallja e Osman Takës. Do e kërcejmë më vone atë, pa merak”, iu drejtua Basha gazetarit Osman Stafa.
E rastësishme, apo jo përmendja e valles së njohur çame në këtë ditë merr një nënkuptim tjetër. Osman Taka ishte një kaçak i shekullit të 19-të që u rebelua kundër Perandorisë Osmane. Pasi u kap dhe burgos në Janinë, ai u dënua me vdekje.
Para ekzekutimit, gojëdhënat thonë se dëshira e tij e fundit ishte që të hidhte vallen e fundit. Sipas gojëdhënave, ai kërceu aq bukur sa xhandarët e tjerë po shqiptarë të Perandorisë Osmane vendosën t’ia falnin jetën dhe të mos e ekzekutonin.
Në këtë rast, metafora e Lulzim Bashës nuk është pa kuptimë edhe pse ka pak mister brenda. Vallja e Osman Takës nuk është tango që kërkon domosdoshmerisht dy vetë për t’u kërcyer, por dhe vetëm por pa saze nuk kërcehet.
Prandaj, vallen në oborrin e mbushur me makina të PD vështirë se Sali Berisha do ta hedhë i vetëm. E duke ndjekur paralelizimin e Lulzim Bashës, kjo valle e nisur prej 19 majit po shkon drejt fundit, por akti i sotëm nuk është final.
Sepse, sipas gojëdhënave, Osman Taka pasi i shpëtoi ekzekutimit duke kërcyer vazhdoi rebelimin ndaj autoritetit të Perandorisë Osmane dhe disa ditë më vonë u kap dhe ekzekutua në Konispol…këtë herë pa dajre e saze.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.