Trashëgimi

Valencina, qytetërimi pesëmijëvjeçar që u udhëhoq nga gratë dhe u shua nga thatësira

Një shoqëri e ndërlikuar, një fuqi që ndërtoi monumente dhe një grua e varrosur me pasuri të rralla: çfarë na tregon vendbanimi më i madh prehistorik në Gadishullin Iberik për rolin e grave, pushtetin dhe rënien sociale para Epokës së Bronzit

Nga Gazeta “SI”– Aty ku sot ndodhet periferia veriperëndimore e Seviljes, dikur, rreth 5 mijë vjet më parë, lulëzoi një qytetërim i jashtëzakonshëm. “Valencina de la Concepción” nuk është thjesht një vendbanim i lashtë.

Me mbi 400 hektarë të zbuluar  ajo është sot megasiti më i madh prehistorik në të gjithë Gadishullin Iberik dhe një nga më të mëdhenjtë në Europë.

Por më e jashtëzakonshmja nuk është përmasa e saj. Ajo që e bën Valencinën unike është fakti që në zemër të saj qëndronte një udhëheqje femërore e rrallë, e fuqishme dhe e ngjizur me simbolikë të thellë fetare, ekonomike dhe shoqërore.

Një studim i fundit, i publikuar në “Journal of Anthropological Archaeology” nga profesorët Leonardo García Sanjuán dhe Timothy Earle, rindërton me saktësi jetën, strukturën dhe rënien e kësaj shoqërie që lulëzoi mes 3200 dhe 2300 para erës sonë. Në qendër të saj, Valencina përfaqësonte një shoqëri të organizuar rreth monumenteve, riteve dhe grave që sundonin përmes një autoriteti që shprehej jo përmes forcës, por përmes objekteve të pasura dhe të rralla dhe fuqisë simbolike.

Zonja e Fildishtë dhe gratë e Montelirios

Në thellësitë e tokës së Andaluzisë janë zbuluar varre që i ngjajnë më shumë tempujve sesa strehave. Dhoma rrethore me kube terrakote, korridore të gjata deri në 40 metra, varre kolektive të mbushura me artefakte që nuk janë të ngjashme me asnjë tjetër në Europë. Dhe në qendër të tyre, figura si “Zonja e Fildishtë”  një grua e varrosur me stoli fildishi, qelibar, ar, guaska deti dhe kristale shkëmbore. Apo gratë e Montelirios, të pajisura me veshje të endura me dhjetëra mijëra rruaza marine. Veshje që s’kishin thjesht bukuri, por pushtet.

Artefaktet e zbuluara janë mahnitëse. Maja shigjetash të gdhendura në mylonitë me teh të gjatë, thika prej kristali, figura të qelibarit, pllaka ari të zbukuruara me “sy” ritualë, përdorim intensiv i cinoberit , nje pigment i kuq i lidhur me praktika të shenjta dhe armë bakri që s’kanë shembull tjetër në gadishull.

Por të gjitha këto nuk ishin thjesht objekte luksi. Ato përfaqësonin një gjuhë të pushtetit dhe një botëkuptim kolektiv. Ato shenjonin individë që nuk sundonin përmes dhunës, por përmes prestigjit dhe ndërmjetësimit me të shenjtën.

Një shoqëri që “digjte” tepricën për të shmangur pabarazinë

Në një botë ku bujqësia kishte nisur të krijonte teprica, shoqëria e Valencinës nuk zgjodhi të grumbullonte pasuri në duart e pak njerëzve. Përkundrazi, ajo ndërtoi monumente. Ndërtime gjigante që konsumonin energji dhe burime, por në thelb shërbenin për të mos lejuar që pasuria të përqendrohej dhe të prodhonte pabarazi. Ishte një mënyrë për të mbajtur bashkë një shoqëri në tranzicion si një formë paralele me atë që sot do ta quanim demokraci rituale.

Profesorët Sanjuán dhe Earle e përshkruajnë Valencinën si një sistem kompleks ku politika, ekonomia dhe feja ndërthureshin. Ajo ishte qendër tregtare, vend grumbullimi, hapësirë e ndërtimit të përbashkët dhe një nyje shkëmbimi mes Europës, Mesdheut dhe Afrikës së Veriut. Ky rend i mbështetur nga puna kolektive dhe prestigji fetar, më shumë se nga dhuna apo sundimi ushtarak, ishte i qëndrueshëm, por edhe i brishtë.

Rënia e heshtur e një bote monumentale

Mes viteve 2350 dhe 2300 p.e.s., gjithçka ndryshoi. Një thatësirë e rëndë, e njohur si “ngjarja klimatike e 4.2 mijëvjeçarit”, përfshiu gjithë Mesdheun. Ariditeti dhe mungesa e prodhimit sollën rënien e Valencinës dhe braktisjen e saj graduale.

Pas dymijë vjetësh ekzistence, qendrat monumentale si Valencina dhe Antequera zhduken, për t’u zëvendësuar nga një epokë e re,  ajo e Bronzit. Me një rend të ri, më të centralizuar, më të ashpër dhe më të njohur për ne si qytetërim klasik.

Por trashëgimia e Valencinës mbetet. Një shoqëri që ndërtoi jo për të dominuar, por për të bashkuar. Një fuqi që u mishërua në gratë dhe në objektet që ato bartnin. Një kujtim se historia nuk ecën gjithmonë drejt luftës, por ndonjëherë kalon edhe përmes artit, ritualit dhe komunitetit.

Burimi: EL PAÍS


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë