Megjithëse doza e tretë dukej e “ekzagjeruar” në fillim, reagimi i shqiptarëve për të bërë një porcion tjetër vaksine është i njëjtë si tek doza e parë.
Nëse shikojmë të dhënat zyrtare vërejmë se trendi i rritjes së të vaksinuarve më dozën e tretë është gati njësoj si më trendin e dozës së parë.
Gazetasi.al ka vërejtur të dhënat për periudhën 8 prill deri në 8 maj kur nis vaksinimi i dozës së parë dhe për moshat mbi 60 vjeç dhe pa kufizime profesionesh dhe i ka krahasuar me ato të periudhës 1 nëntor deri tani. Pra kohën kur përfshihen të njëjta moshë. (kur nisi vaksinimi në janar të 2021 të parët ishin mjekët dhe mosha e thyer).
Nga ky krahasim vumë re që prej fillimit të muajit nëntor e deri në datën 28 nëntor dozën e tretë e kanë marrë rreth 66.000 individë nga personat +60 vjeç dhe kategoritë e përcaktuara, ata me sëmundje kronike dhe personat +18 vjeç me frenim të imunitetit. Ndërkohë që popullata e përgjithshme +60 vjeç është rreth 620.000.
Ritmi i vaksinimit këtë muaj është 22.4 për qind.
Përgjatë muajit prill kur nisi për herë të parë vaksinimi i të moshuarve +65 vjeç dhe disa kategorive të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, për një muaj kanë marrë vaksinën e Covid-19 rreth, 350.000 individë.
Ritmi i vaksinimit ishte 27.4 për qind.
Prej kemi të njëjtin trend megjithëse kemi numra të ndryshëm në vlerë absolute sepse kjo ndodh sepse tani për dozën e tretë janë vendosur kufizime kategorish.
Megjithatë ky trend i njëjtë do të thotë se ata që kanë dashur që në fillim të bëjnë dozën e paerë ata duan të bëjnë edhe të tretën . Por baza e popullatës së vaksinuar mbetet e ulët. Situata epidemiologjike në vend vijon të jetë me ritme të ulëta. Deri më tani imuniteti kolektiv në vend ka arritur në 47%.
Ekspertët shqiptarë dhe të huaj më herët kanë thënë se me shfaqjen e varianteve të reja, imuniteti kolektiv duhet të jetë mbi 90% në mënyrë që të ndalohet transmetimi i virusit. Por në një kohë që vendi ynë ka shifra të ulëta, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur shqetësimin për variantin e ri Omicron i cili mendohet të jetë më i transmetueshëm.
Në një mbledhje urgjentë OBSH deklaroi se varianti mund të ketë pasoja të rënda në vendet ku vaksinimi është i ulët. Ndërkaq ekspertët janë të shqetësuar se varianti do të anashkalojë imunizimet e vaksinave.
Ekspertët britanikë thonë se njerëzit që kanë marrë dy vaksina ishin të infektueshëm nga varianti Delta por nuk patën humbje të imunitetit. Duke parë të dhënat nga Afrika e Jugut ata kanë shkruar se duke nisur nga kjo gjë është tepër e rëndësishme që qeveritë të përforcojnë fushatat me dozat e treta të cilat duhen zgjeruar tek e gjithë popullata!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.