Në Shqipëri numri i fëmijëve të vaksinuar është mjaft i ulët dhe këtë e pranon dhe shefja e departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino.
Sipas saj, megjithëse udhëzimi i ministrisë së Shëndetësisë rekomandon kryerjen e vaksinës të çdo personi mbi 12-vjeç, sërish ka refuzim për kryerjen e vaksinës tek fëmijët.
Për ekspertët e shëndetit publik, fokusi duhet përqëndruar tek prindërit pasi refuzimi vjen prej tyre.
“Prindërit janë ata që hezitojnë të vaksinojnë fëmijët. Megjithëse infeksionet në shtëpi në shumicën e rasteve i sjellin fëmijët, sërish janë prindërit më këmbëngulës që nuk duan të vaksinojnë fëmijët”, thonë mjekët e familjes për Gazetasi.al.
Sipas mjekes pediatre në qendrën shëndetesore nr.4 në Tiranë, Mirela Petre, prindërit nuk i sjellin fëmijët për t’u vaksinuar dhe ky është refuzimi që ata i bëjnë vaksinës.
“Pse refuzojnë? Nuk di të them një arsye konkrete por mendoj se infodemia për vaksinat, ka ndikuar negativisht në krijimin e stereotipeve dhe ideve të gabuara mbi efektet anësore të tyre,duke bërë që kryesisht adoleshentët dhe studentët të refuzojnë vetë, pasi mjaftohen me leximet e informacioneve në internet”, thotë pediatrja Mirela Petre.
Sipas saj, prindërit mendojnë se fëmijët nuk kanë pasoja nga covid dhe e kalojnë më lehtë, por harrojnë se ata janë burim i përhapjes së infeksionit.
Mjekja pediatre thotë se ndonëse mbulon një zonë të madhe të Tiranës me shërbim si mjeke pediatre, vetëm 30 fëmijë janë vaksinuar dhe shumica prej tyre për shkak të udhëtimeve jashtë shtetit, ku janë të detyruar të pajisen me pasaportën e vaksinimit.
“Aktualisht në udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë, mbi moshën 12-vjeç çdo fëmijë duhet të vaksionohet me dy doza Pfizer. Por numri i të vaksinuarve është i ulët”, thotë mjekja Petre për Gazetasi.al.
Sipas ekspertëve të shëndetit publik, në këtë periudhë janë rritur kontaktet për shkak të lëvizjeve përgjatë sezonit veror dhe vaksinat antiCOVID, do të reduktonin mundësinë e infektimit dhe shmangjen në shkallë të lartë të hospitalizimeve dhe fataliteteve.
E pyetur nga Gazetasi.al, shefja e departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino tha se Shqipëria ende nuk e ka përfshirë vaksinimin e fëmijëve me detyrim, por kryerja e saj vijon të jetë në mënyrë vullnetare.
Megjithatë numri i vaksinimit është i ulët në raport me vendet e Evropës apo në SHBA, kur vaksinat po aplikohen tek fëmijët që në moshën 6-muajsh.
Agjencia shëndetësore amerikane për kontrollin e barnave, FDA, ka autorizuar përdorimin urgjent të vaksinave Pfizer dhe Moderna për fëmijët, duke filluar nga mosha gjashtë muajshe.
Edhe OBSH e ka mbrojtur nismën, duke thënë se vaksinat aktuale janë tepër efektive.
“Vaksinat aktuale Covid-19, vazhdojnë të tregojnë mbrojtje të fortë kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes në të gjitha variantet virale të vëzhguara deri më sot”, thuhet në një deklaratë të OBSH-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.