Shendet

Vaksinat, tromboza dhe terapia, si na ndihmon shkenca të orientohemi

E gjithë Europa është në mes të fushatës së vaksinimit që po vazhdon me një ritëm të shpejtë, me vaksina të gjeneratës së re, mRna, si “Pfizer” dhe “Moderna”, ose vektori adenoviral, siç është “AstraZeneca”.

Euforia e të pasurit vaksina efektive dhe të sigurta të disponueshme, pak më shumë se një vit pas fillimit të Covid-19, është vënë në provë ditët e fundit nga lajmet e disa rasteve të rralla, por shumë të rënda, veçanërisht të grave të moshës 20 dhe 55 vjeçe, të cilat zhvilluan një pasqyrë komplekse klinike pas vaksinimit me “AstraZeneca”, e karakterizuar nga trombocite të ulëta dhe trombozë venoze në zona të ndryshme, përfshirë trurin.

Dy studime të sapo publikuara në revistën prestigjioze “Neë England Journal of Medicine”, ndihmojnë për të hedhur dritë për këtë gjë. Këto studime karakterizuan ndërlikime në 11 subjekte gjermane dhe austriake dhe pesë norvegjeze, kryesisht gra.

Një sindromë e re: “Vitt”

Të dhënat tregojnë se simptomat (vështirësi në frymëmarrje, dhimbje gjoksi, dhimbje koke të fortë, dhimbje të vazhdueshme të barkut, vizion të paqartë, marramendje, mavijosje spontane), shfaqen pesë deri në 20 ditë pas vaksinimit dhe lidhen me prodhimin e antitrupave kundër një përbërësi normal të trupit tonë, një proteinë e prodhuar nga trombocitet, e quajtur FP4.

Këto autotitrupa patologjikë, lidhen me FP4, aktivizojnë trombocitet, duke shkaktuar një varg ngjarjesh që çojnë në trombozë.

Bazuar në disa karakteristika të rëndësishme dhe lidhjen e mundshme me vaksinën, kjo sindromë është quajtur trombocitopeni imunitare trombotike, e shkaktuar nga vaksinat (Vitt është shkurtesa në anglisht).

Prandaj është një sindromë e re, e ndërmjetësuar nga auto-antitrupat, shumë e ndryshme nga tromboza klasike e venave të thella, të cilat kanë shkaqe të tjera dhe nuk rrisin rrezikun e sëmundjes me “Vitt”.

Terapia për ta kuruar

Deri më sot, raste të trombozës me karakteristikat e “Vitt”-it, janë raportuar në disa vende evropiane dhe Ema (Agjencia Evropiane e Barnave), ka sugjeruar lidhjen shkakësore me vaksinën “AstraZeneca”.

Aifa (Agjencia Italiane e Barnave), gjithashtu mbështeti këtë korrelacion dhe propozoi që në Itali vaksina “AstraZeneca” të rezervohet për njerëzit mbi moshën 60 vjeç, duke përafruar të paktën pjesërisht me kufirin e vendosur në vendet e tjera të Evropës.

Situata mbetet akoma e paqartë, sepse Aifa ka rekomanduar vetëm dhe jo të detyruar, kufizimin e moshës dhe sepse frekuenca dhe karakteristikat e sindromës janë ende të përcaktuara jo mirë.

Lajmi i mirë, është se ekziston një terapi për ta kuruar atë, kur diagnostikohet herët: infuzion i imunoglobulinave dhe antikoagulantëve jo-heparinë.

Italia ka qenë lider në identifikimin e hershëm të ndërlikimit pas vaksinës dhe trajtimin e saj. Grupi i ekspertëve të koagulimit, i kryesuar nga profesoreshë Rossella Marcucci e Universitetit të Firences, identifikoi një nga rastet e para italiane të “Vitt”-it, falë analizave speciale të aktivizimit të trombociteve të zhvilluara posaçërisht, të cilat bënë të mundur rregullimin e saktë të strategjisë terapeutike të zgjedhur.

Tani është e nevojshme që spitalet të marrin udhëzime të sakta, se si të njohin dhe trajtojnë këtë sindromë dhe që vaksinuesit të lajmërohen dhe informohen për të inkurajuar subjektet e vaksinuara të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse shfaqen simptoma karakteristike.

Vetëm në këtë mënyrë mund të trajtohet menjëherë tromboza e mundshme pas vaksinës.

Mbi 60 vjeç, rekomandimi për përdorimin e vaksinës “AstraZeneca”

Rekomandimi për të kufizuar përdorimin e vaksinës “AstraZeneca” për njerëzit mbi moshën 60 vjeç, u diktua nga prova mjekësore dhe shkencore që mund të ndahen në disa aspekte: gazeta “Neë York Times”, raportoi 222 raste të “Vitt”-it nga 34 milionë të vaksinuar me “AstraZeneca” (afërsisht 1 në 100,000).

Meqenëse administrimi i “AstraZeneca”-s, në mbi të 60-at, nuk dha këtë lloj ndërlikimi, ndërsa rezultoi efektiv në mbrojtjen kundër Covid-19, rezervimi i kësaj vaksine për këtë grupmoshë ju lejon të shmangni “Vitt”-in, pa dëmtuar fushatën e vaksinimit.

Pas rasteve që lidhen me “AstraZeneca”-n, disa prej tyre të trombozës atipike, janë raportuar në SHBA pas administrimit të vaksinës “Johnson & Johnson” (gjashtë nga shtatë milionë njerëz, të gjithë nën 50 vjeç).

“AstraZeneca” dhe “Johnson & Johnson”, janë të dyja vaksina të bazuara në vektorë adenoviralë: këto reagime të rënda, ka të ngjarë të vijnë për shkak të përbërësve të përbashkët për të dyja vaksinat. Në pritje të konfirmimit, kufizimi i moshës duhet të shtrihet te “Johnson & Johnson”.

Raporti i rrezikut / përfitimit

Për vaksinat, ashtu si për barnat, raporti i rrezikut/ përfitimit, duhet të jetë në favor të kësaj të fundit.

Mundësia për të pasur një ndërlikim serioz siç është “Vitt” pas vaksinimit me “AstraZeneca”, edhe pse shumë e rrallë, mund të paraqesë një rrezik më të lartë tek të rinjtë, sesa vetë Covid-19.

Në të kundërt, përfitimet e vaksinës tejkalojnë rreziqet tek njerëzit mbi 60 vjeç. Duke pasur më shumë vaksina në dispozicion, është e qartë se zgjidhja më e mirë është të rezervohet vaksinimi me “AstraZeneca” midis moshave 60 dhe 79 vjeç dhe në vend të kësaj, të vaksinohen individë nën 60 dhe mbi 80 vjeç me vaksina mRna.

Në fakt, këto vaksina nuk janë shoqëruar me efekte anësore serioze dhe kanë provuar të jenë më efektive në nxitjen e antitrupave ndaj Sars-Cov-2 edhe tek të moshuarit, të cilët kanë një sistem imuniteti më pak reaktiv.

Për më tepër, vaksinimi i subjekteve të rinj (të cilët kanë jetë aktive pune dhe shoqërore) me “Pfizer” dhe “Moderna”, gjithashtu do të përshpejtonte arritjen e imunitetit të tufës.

Në fakt, provat e disponueshme deri më sot, tregojnë se këto vaksina, ndryshe nga “AstraZeneca”, mbrojnë jo vetëm nga sëmundje serioze, por edhe nga infeksione asimptomatike, duke parandaluar përhapjen e virusit dhe varianteve të tij.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë