Jete & Stil

Vajzat mund të kenë nota më të mira se djemtë për shkak të paragjykimit të mësuesve

Vajzat nuk janë më të talentuara se djemtë kur bëhet fjalë për detyrat e shkollës dhe në të mësuarit, por ato mund të marrin nota më të mira sepse mësuesit e tyre janë të njëanshëm, sipas një studimi të ri.

Të dhënat nga studiuesit italianë zbuluan se kur provimet shënohen në mënyrë anonime, djemtë rezultojnë më mirë në matematikë sesa vajzat.

Megjithatë, kur në provime shënohen emrat, vajzat dalin në krye.

Rezultatet e pothuajse 40,000 testimeve të nxënësve zbuluan se ekziston një prirje sistematike për t’u dhënë vajzave rezultate më të larta, thanë studiuesit nga Universiteti i Trentos.

Gjetjet sigurojnë provat e para që tregojnë se vlerësimi i njëanshëm është sistematik dhe mësuesit janë të njëanshëm përsa i përket vlerësimit të tyre.

Mësuesit preferojnë sjelljen e vajzave

Shkencëtarët që qëndrojnë pas hulumtimit thonë se arsyeja e “inflacionit të notave” për vajzat mund të jetë për shkak të një sërë faktorësh, duke përfshirë edhe mësuesit që preferojnë sjelljen e tyre.

“Mjediset e shkollës dhe të klasës mund të përshtaten vërtet me sjelljet tradicionale të vajzave”, shkruajnë shkencëtarët në punimin e tyre, të botuar në British Journal of Sociology of Education.

“Nxënëset mund të adoptojnë sjellje shembullore gjatë orës së mësimit, duke përfshirë saktësinë, rregullin, modestinë dhe qetësinë, të cilat shkojnë përtej performancës akademike të individëve, por që mësuesit mund t’i shpërblejnë shumë përsa i përket notave”.

Teori të tjera për notën universale që mësuesit u japin vajzave përgjithësisht në matematikë është të ndihmojnë në inkurajimin e vajzave dhe të kompensojnë një perceptim diskriminues të femrave që luftojnë me “lëndët e vështira”.

“Një shpjegim i mundshëm për arsyen se pse mësuesit janë më bujarë në vlerësimin e nxënësve vajza mund të jetë se mësueset dëshirojnë të shmangin diskriminimin e mundshëm ndaj vajzave si një grup i stigmatizuar nga aftësitë”, shkruajnë autorët.

Prandaj, mësuesit mund të mbivlerësojnë vajzat në të njëjtën mënyrë që ndonjëherë mbivlerësojnë nxënësit jo vendas, për të shmangur stereotipet negative.

“Ekziston një korrelacion i fortë midis të pasurit nota më të larta dhe rezultateve të dëshirueshme arsimore, të tilla si pranimi në kolegje të mira ose të kesh një probabilitet më të ulët për të lënë shkollën”, thotë studiuesja Ilaria Lievore.

Rrjedhimisht, notat më të larta lidhen gjithashtu me rezultate të tjera, të tilla si të kesh të ardhura më të larta, një punë më të mirë apo edhe kënaqësi më të lartë të jetës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë