Njerez

‘Vajza që nuk u bë kurrë poezi’/Historia tragjike e vajzës së Pablo Nerudës

Historia e poetit nobelist , Pablo Neruda , me të bijën është një pjesë e errët dhe shpesh e diskutuar e jetës së tij personale, që bie ndesh me imazhin e tij si poet i ndjeshëm dhe humanist. Vajza e vetme biologjike e  Nerudës quhej Malva Marina Reyes. Ajo lindi në vitin 1934, nga martesa e tij me María Antonieta Hagenaar, një grua holandeze.

Malva Marina lindi me një sëmundje të rëndë neurologjike, e cila sot mendohet të ketë qenë një hidrocefali (akumulim i lëngut në tru). Ajo kishte aftësi të kufizuara dhe kërkonte kujdes të vazhdueshëm. Neruda nuk e pranoi dot vajzën si pjesë të jetës së tij. Ai e përshkroi atë në disa nga shënimet e tij si “një vampir tre kilogramësh”.

Malva Marina

Neruda braktisi gruan dhe vajzën e tij përfundimisht  dhe pas largimit të tij,  atojetuan në varfëri të madhe në Evropë. Malva vdiq shumë e re, në moshën tetëvjeçare, në një azil për fëmijë me nevoja të veçanta në Holandë në vitin 1943. Neruda nuk mori pjesë në varrimin e saj dhe nuk e përmendi kurrë publikisht.

Kjo pjesë e jetës së tij është bërë objekt kritike të madhe nga studiues, feministë dhe biografë, të cilët theksojnë se pavarësisht madhështisë së tij si poet, moraliteti i tij personal është i debatueshëm, jo vetëm për braktisjen e vajzës, por edhe për mënyrën sesi ai i trajtonte gratë në përgjithësi.

Njeriu që mishëronte avangardën poetike, intelektuali militant që u kthye në një figurë udhëheqëse e socializmit në Amerikën e Jugut, i mohoi gruas së tij të parë jo vetëm ndihmën ekonomike për të mbajtur vajzën e sëmurë, të cilën nuk e pa më që nga mosha dyvjeçare. Ai gjithashtu i mohoi atyre mundësinë për të përfituar nga një marrëveshje shkëmbimi qytetarësh, që do t’i kishte shpëtuar nga Evropa e zhytur në vuajtjet e Luftës së Dytë Botërore.

Pablo Neruda

Në jetën e një poeti që i dhuroi botës mijëra vargje për dashurinë, dhimbjen, detin dhe tokën, pati një jetë të vogël që ai kurrë nuk e përktheu në poezi, Malva Marina, vajza e vetme e Pablo Nerudës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë