“Uuuu ty ta marrsha të keqen…” Ata që i përkasin një brezi më të rritur e mbajnë mend shprehjen e famshme shkodrane tek komedia “Pak fresk sonte” ku aktori i njohur Paulin Preka në rolin e një bashkëshorti i drejtohej gruas së tij (luajtur nga aktorja Zyliha Miloti) kur në pamundësi financiare lëshuan gjithë shtëpinë me qira dhe vetë ata përfunduan të flenë në tarracën e pallatit.
Kjo komedi ishte e fundit për Paulin Prekën pavarësisht se herë herës ai nuk i mungoi ekranit me skeçe të shkëputura përgatitur kryesisht për Vitin e Ri.
Paulin Preka u nda nga jeta në moshën 86 vjecare në Itali (ku jetonte prej vitesh) nga një sëmundje që e kishte mbërthyer prej kohësh.
Ai është pjesë e asaj kaste aktoresh të mëdhenj të humorit që lanë gjurmë në komedi.
Preka luajti me dhjetëra role në teatër dhe kinematografi.
Ai spikati prej një jete me estradën e Shkodrës dhe jo më kot ky qytet e nderoi me titullin “Krenaria e Qytetit”.
Fillimet e tij në aktrim janë te hershme qysh prej vitit 1957 ku gjatë asaj kohe, ai ftohet nga regjisori i Trupës Profesioniste Lec Shllaku për të interpretuar tek drama “Shtatë Shaljanët” në rolin e Abdullahut (biri i vezirit të Shkodrës), dramë që u mbajt mend gjatë.
Më pas vijoi me trupën amatore të Shtëpisë së Kulturës, duke luajtur ne disa komedi deri sa u bë pjesë e Trupës Profesioniste të qytetit të Shkodrës.
Prej vitesh, në fakt ai luajti si aktor drame, për të vijuar vitet e karrieres së aktrimit si aktor estrade. Ai ka qenë autor i shume skeçeve duke përmendur atë të parin nga ai “Bac Byreku” që u luajt nga mjeshtrat Tano Banushi dhe Zyliha Miloti.
Prej vitit 1967 kur shkroi edhe skeçin e parë, Paulin Preka numëron me qindra skeçe, parodi e monologje.
Me vdekjen e tij Shqipëria humbi një artist të rrallë humori, ndërsa Shkodra krenarinë e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)







