Sport

Usyk mbetet kampion i peshave të rënda dhe sfidon Furin: Jam gati që nesër!

Gazeta Si – Boksieri ukrainas vuajti në fillim, por më pas hodhi në tapet kundërshtarin britanik, në raundin e 9-të. Menjëherë mesazh rivalit Furi për sfidën e unifikimit të titujve të peshave të rënda.

Oleksandr Usyk mbetet kampion bote. Boksieri ukrainas mundi së fundi Daniel Dubois, 25-vjeçarin britanik, duke ruajtur kështu titujt e peshave të rënda, Wba, Ibf dhe Wbo. Ndeshja e zhvilluar në Poloni zgjati 9 raunde, aq iu deshën 36-vjeçarit kampion në fuqi për të mposhtur kundërshtarin.

Oleksandr Usyk pas fitores. Gazeta Si, 27 gusht 2023

Fitorja nuk ishte e lehtë në fakt për Usyk, pasi Dubois rezistoi. Ai ia doli madje ta hidhte në tokë rivalin në raundin e 5-të, por goditja u vlerësua poshtë brezit nga arbitri, që i dha 5 minuta shtesë ukrainasit. Nga ky moment Usyk e mori veten, në raundin e 8-të e vuri poshtë Dubois, për t’i dhënë goditjen vendimtare në të 9-tin.

Mbrojtja e titujve e lejon ukrainasin të ruajë rekordin perfekt me 21 fitore dhe 0 humbje. Tani kundërshtari i radhës mund të jetë Tajson Furi, në një ndeshje që do të vlente unifikimin e titujve të peshave të rënda. “Jam gati që nesër”, – deklaroi Usyk pas fitores.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë