Sociale

Ushtria ruan supermarketet e bankat për të garantuar radhët e sigurinë

Ushtria së bashku me policinë po del në supermarkete, farmaci dhe në banka për të garantuar mbajtjen e distancave në radhë nga qytetarët, e cila është përcaktuar 2 metra larg. Shqetësimeve për mosrespektimin e radhës nga shqiptarët ka detyruar policinë e forcat ushtarake të hidhen në terren për të mos lejuar grumbullime në blerjen e ushqimeve apo dhe në tërheqjen e parave në banka.

"Në çdo supermarket dhe bankë në fashat e orareve 06:00 – 10.00 dhe 16.00 – 18.00 do të gjeni efektivë të Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit për të mundësuar të gjithë bashkë, ju dhe ne, zbatimin e padiskutueshëm të rregullave të vendosura për këto ditë të vështira. Këta djem që shikoni në foto kanë lënë në shtëpi familjet e tyre e po bëjnë të pamundurën për t’ju mbrojtur në mënyrën më të mirë që ata dinë: disiplinimin", shkruan ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Edhe kryeministri Edi Rama pati paralajmëruar se ushtria do të dilte në rrugë pranë bankave dhe supermarketeve për të mos lejuar grumbullime të qytetarëve, pasi përbën një rrezik për përhapjen e pandemive. "Ju përgjërohem të gjithëve të mbajnë radhën si njerëz të rrezikuar nga bombat e padukshme që sjellin vdekje, vuajtje, zgjatje të pafundme të kësaj lufte", shkruan Rama në Facebook, i cili jep edhe shembuj nga bota se si e respekton radhën, edhe pse në shtetet europiane, qytetarët kanë një kulturë të tillë, nuk kanë nevojë që mbikëqyren nga ushtria apo policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë