Një analizë e re e udhëhequr nga “Imperial College London” dhe botuar në revistën “The Lancet”, ka vlerësuar gjatësinë dhe peshën e fëmijëve dhe adoleshentëve në të gjithë botën.
Studimi, i cili përdori të dhëna nga 65 milion fëmijë të moshës pesë deri në 19 vjeç në 193 vende, zbuloi se gjatësia dhe pesha e fëmijëve, të cilat janë tregues të shëndetit të tyre dhe cilësisë së ushqimit, ndryshojnë jashtëzakonisht shumë në të gjithë botën.
Kishte një ndryshim prej 20 cm midis 19-vjeçarëve në kombet më të gjatë dhe më të shkurtër. Për shembull, studimi zbuloi se një vajzë mesatare 19-vjeçare në Bangladesh dhe Guatemala (kombet me vajzat më të shkurtra në botë) është e së njëjtës gjatësi me një vajzë 11-vjeçare në Holandë, kombi me fëmijët më të gjatë në botë.
Ekipi ndërkombëtar pas studimit tregoi se në gjatësinë dhe peshën e fëmijëve ndikon ushqimi, veçanërisht mungesa e ushqimit cilësor çka mund të çojë në rritje të ngadaltë dhe shtim peshe tek fëmijët, duke ndikur në shëndetin dhe mirëqenien e fëmijës për tërë jetën e tyre.
Hulumtimi, i cili raportoi të dhëna nga 1985 në 2019, zbuloi se kombet me 19-vjeçarët më të gjatë në 2019 ishin në Europën veriperëndimore dhe qendrore dhe përfshinin Hollandën, Malin e Zi, Danimarkën dhe Islandën.
Ndërsa kombet me 19-vjeçarët më të shkurtër në 2019 ishin kryesisht në Azinë jugore dhe juglindore, Amerikën Latine dhe Afrikën Lindore, duke përfshirë Papua Guinea e Re, Guatemala dhe Bangladesh.
Përmirësimet më të mëdha në gjatësinë mesatare të fëmijëve gjatë periudhës 35-vjeçare u panë në Kinë, Korenë e Jugut dhe disa pjesë të Azisë Juglindore. Për shembull, djemtë 19-vjeçarë në Kinë në 2019 ishin 8 cm më të gjatë se në 1985. Nga ana tjetër, Kombet afrikane kanë ngecur ose janë zvogëluar gjatë këtyre dekadave.
Studimi gjithashtu vlerësoi Indeksin e Masës Trupore të fëmijëve (BMI) – një masë e raportit gjatësi dhe peshë e cila tregon nëse pesha dhe gjatësia korrespondojnë me njëra-tjetrën dhe u zbulua se në shumë kombe, fëmijët në moshën pesë-vjeçare kishin një gjatësi dhe peshë normale duke u bazuar në atë që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka përcaktuar.
Sidoqoftë, pas kësaj moshe, fëmijët në disa vende kanë përjetuar një rritje shumë të vogël në gjatësi dhe kanë fituar shumë peshë, krahasuar me potencialin për rritje të shëndetshme.
Ekipi thotë se arsyeja më e rëndësishme për këtë është mungesa e ushqimit të përshtatshëm dhe të shëndetshëm dhe mjedisit jetësor në vitet e shkollës, pasi të dyja gjatësia dhe shtimi i peshës janë të lidhura ngushtë me cilësinë e dietës së fëmijës.
Profesor Majid Ezzati, autor i studimit nga Shkolla e Shëndetit Publik “Imperial” tha se fëmijët në disa vende rriten shëndetshëm në pesë vjet, por bien në vitet e shkollës. Kjo tregon se ekziston një çekuilibër në investimet në përmirësimin e të ushqyerit në shkollë si dhe është veçanërisht e rëndësishme gjatë pandemisë Covid-19 kur shkollat kanë qenë të mbyllura në të gjithë botën dhe shumë familje të varfra nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë ushqim adekuat për fëmijët e tyre.
“Gjetjet tona mund të motivojnë politikat që të kthejnë vëmendjen në ushqimet që fëmijët hanë në shkollë dhe të ulin kostot e ushqimeve të shëndetshme, pasi kjo do ti ndihmojë fëmijët të rriten më shumë por pa shtuar peshë. Është e rëndësishme që fëmijët të ushqehen mirë për tu rritur dhe për të qenë të shëndetshëm gjatë gjithë jetës.” tha Andrea Rodriguez Martinez, autori kryesor i studimit nga Shkolla e Shëndetit Publik “Imperial”.
Burimi: Medical Xpress. Përktheu: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.