Njerez

Ushqehej me vakt të gatshëm për 30 vjet, u stërvit një vit dhe fitoi Master Chef    

Nga gazeta “Si”-Kur ajo punonte në bankë, ideja e Irini Tzortzoglou për të gatuar ishte të merrte një vakt të gatshëm nga Marks & Spencer në stacionin e Waterloo-t gjatë rrugës për në shtëpi dhe ta fuste në furrë. Por, që kur fitoi konkursin e gatimit MasterChef në BBC në vitin 2019 në moshën 60-vjeçare, me menytë të frymëzuara nga trashëgimia e saj greke, ushqimi është bërë jeta dhe karriera e re e saj.

Ajo nuk kishte qenë shumë e interesuar për gatimin, thotë me të qeshur, megjithëse që fëmijë ushqimi ishte një pjesë e rëndësishme e jetës së saj. Tzortzoglou, 64 vjeç, lindi në Kretë, ku shtëpia e gjyshërve të saj ishte gjithmonë një derë e hapur – gjyshi i saj ishte prift – dhe gjyshja e saj shpesh gatuante për dhjetëra njerëz. Tzortzoglou gjatë kësaj kohe do të jepte një dorë.

Pasi prindërit e saj e transferuan familjen në Athinë kur ajo ishte rreth tetë vjeç, ajo nuk gatoi më, derisa u martua dhe u transferua në Londër. “Mendova: ‘Më mirë të bëhem një shtëpiake e mirë dhe të gatuaj për  burrin tim” Bleva libra me receta dhe fillova të gatuaj ushqime me tre pjata çdo ditë.

Por ajo ndaloi së gatuari kur i shoqi u ankua se po shtonte shumë peshë dhe ajo filloi karrierën e saj. Ajo punoi në financë për 30 vjet, duke u bërë drejtuese në Piraeus Bank, një nga kompanitë më të mëdha të shërbimeve financiare në Greqi. “Ndërsa karriera ime përparonte, zbulova se kisha gjithnjë e më pak kohë për të gatuar,” thotë ajo.

Në vitin 2000, ajo u martua me burrin e saj të dytë, John, i cili shpesh ishte larg shtepisë për arsye pune.

Ajo vendosi të hyjë në MasterChef “nga mërzia” pasi doli në pension.

Tzortzoglou ishte një kuzhinier mjaft e mirë, të cilës i pëlqente argëtimi dhe mund të krijonte një meny të mirë darke, por konkurrimi në një kompeticion të tillë kërkonte një nivel krejtësisht të ri aftësish.

“Nuk doja të turpëroja veten duke u larguar që në raundin e parë, kështu që u stërvita për një vit”, thotë ajo. Ajo mori kohë, përpjekje dhe harxhoi para (duke përfshirë blerjen e pajisjeve dhe rregullimin e kuzhinës së saj në shtëpinë e saj në Cumbria).

“Shkova në Athinë, hëngra në restorante me yje Michelin”, thotë ajo.

“Doja të shihja se çfarë po ndodhte me ushqimin grek sot. Shikova pak MasterChef grek për të parë se çfarë po bënin kuzhinierët e rinj. Dhe më pas fillova të praktikoj”

Ajo gjithashtu filloi palestrën, teksa kuptonte se sa e vështirë ishte të vrapoje nëpër kuzhinë gjatë xhirimeve, ose të qëndroje në këmbë për orë të tëra.

“Ajo që më shqetësonte ishte se mos do të pësoja ndonjë atak në zemër në studio”, thotë ajo duke qeshur.

“Unë kisha një punë zyre gjithë jetën time” Ajo filloi të vraponte, iu fut palestrës dhe bëri shëtitje në kodër rreth shtëpisë së saj.

Ajo e mori aq seriozisht duke e konsideruar  “si puna e jetës sime”.

Që nga fitorja e saj, Tzortzoglou është zhytur në ushqimin grek dhe ka shkruar një libër gatimi, Under the Olive Tree. Teksa flasim, ajo i ka kaluar dy javët e mëparshme në një rezidencë në një restorant në Londër, ka përgatitur dy darka, dhe ka nisur një vakt grek për një kompani recetash.

“Nuk kam kohë të lirë, por e dua”, thotë ajo. “Ndihem si ai fëmija që lëshohet në dyqanin e ëmbëlsirave”

Ajo mban gjithashtu fjalime për të frymëzuar të tjerët se si kur dalin në pension të fillojnë të jetojnë përsëri. “Duke parë se sa e gjallë ndihem dhe sa shumë energji kam, alternativa është e paimagjinueshme – të mendosh që, në moshën 60-vjeçare, thua: “Oh, tani duhet të ulem në një qoshe, të lexoj libra dhe një ditë të vdes”.

Tzortzoglou zbuloi se të qenit në program jo vetëm që i dha asaj një karrierë të re, por ndryshoi mënyrën se si ndihej për veten, pas një jete të vetëvlerësimit të ulët. “Gjithmonë kam ndjerë një vetvlerësim të ulët në bankë,” thotë ajo. “Kisha një baba tepër kërkues, për të cilin asgjë nuk ishte aq e mirë sa duhet; gjithmonë kishte vend për përmirësim. Mendova se i kisha marrë të gjitha këto, por qartësisht nuk e kisha bërë sepse MasterChef më tregoi se ende nuk besoja mjaftueshëm në veten time”

Ajo nuk mund ta kuptonte pse po kalonte çdo raund, dhe më në fund fitoi me bërxollat ​​e qengjit dhe një bakllava me fiq dhe lajthi – sepse ishte shumë kritike ndaj vetes.

Ajo emocionohet kur kujton se si u ndje kur fitoi.

Fundjavën tjetër, ajo bëri gatoi për 20 veta. Kur hyri në dhomën e ngrënies, ajo mori një duartrokitje të madhe. “Disa vite më parë, do të thosha: “Jo, jo, nuk ishte mjaftueshëm e mirë.” Tani po mendoj, në fakt, kjo ishte një darkë e mirë”

Marrë nga Theguardian.com/international/ Përshtati në shqip Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë