Bota

Uragani ‘Helene’ godet Floridan në SHBA, 3 të vdekur dhe një milion shtëpi në errësirë

Gazeta Si - Uragani “Helene”, i cili arriti në tokë në Florida me fuqinë e kategorisë 4, tani është ulur në kategorinë 2.

Qendra Kombëtare e Uraganeve e përshkroi stuhinë si "jashtëzakonisht të rrezikshme", pavarësisht se ka humbur forcën, pasi "vazhdon të prodhojë erëra katastrofike që tani po shtyjnë drejt jugut të Xhorxhias". Erërat tani janë me shpejtësi rreth 150-160 km në orë, ndërsa stuhia është 510 km në jugperëndim të Tampa-s.

Uragani shkaktoi tre vdekje (një në Florida, dy në Xhorxhia) dhe la mbi një milion shtëpi pa energji elektrike.

“Njerëzit nuk duhet të largohen nga banesat e tyre dhe duhet të qëndrojnë në vend, ndërsa këto kushte kërcënuese për jetën të kalojnë”, shtoi Qendra Kombëtare e Uraganeve.

Për shkak të mbërritjes së uraganit, autoritetet e Floridës kishin bërë një thirrje rrëqethëse për banorët e shtetit: “Kushdo që vendos të mos evakuohet, të shkruajë emrin e tij në këmbë ose në krahë për identifikim”, paralajmëroi policia, duke saktësuar se kjo masë do të ndihmojë autoritetet për të “lehtësuar identifikimin e kufomave”.

Për shkak të rënies së pemëve, autoritetet presin ndërprerje të gjera të energjisë: Të enjten në mbrëmje, rreth një milion shtëpi ishin pa energji elektrike në Florida, sipas faqes së internetit “poëeroutage.us”.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden "i bëri thirrje" banorëve t'i kushtojnë vëmendje "thirrjeve për evakuim" të lëshuara nga autoritetet: "Merreni këtë seriozisht dhe jini të kujdesshëm", - tha ai.

Një person vdiq në Florida, pasi një pemë ra në makinën e tij dhe dy persona u raportuan të vdekur nga një tornado e mundshme në jug të Xhorxhias, ndërsa stuhia po afrohej.

Ndërkohë, sipas faqes monitoruese “poëeroutage.us”, mbi një milion shtëpi dhe biznese kanë mbetur pa energji elektrike në Florida dhe mbi 50 mijë në Xhorxhia.

Guvernatorët e Floridas, Xhorxhias, Alabamas, Karolinës së Jugut dhe të Veriut dhe Virxhinias, kanë shpallur të gjithë gjendje të jashtëzakonshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë