Nga Gazeta ‘SI’ – Universitetet shqiptare shpenzuan mbi 100 milionë euro gjatë vitit akademik 2024-2025, por transparenca dhe llogaridhënia mbeten të dobëta. Sipas raportit të fundit të organizatës “Qëndresa Qytetare”, institucionet duket se janë treguar më të kujdesshme pas kritikave të ekspertëve dhe hetimit nga SPAK në Universitetin Bujqësor.
Kontratat e prokurimit shihen me skepticizëm nga ekspertët e raportit, ku shprehet shqetësim për faktin që shumë prej universiteteve në vend nuk i bëjnë publike tenderat e tyre fare, ose vetëm detaje sipërfaqësore. Universiteti i Tiranës dhe ai i Mjekësisë kanë refuzuar publikimin e kontratave të tyre prokuruese, madje i kanë shpallur ato “sekret tregtar.
Në disa kontrata specifike, QQ ngre shqetësimin për fitimin e shumë tenderave nga i njëjti subjekt dhe përzgjedhjen e tyre me fond limit, praktika jo të shëndetshme për tregun dhe me risk klientelizmi e abuzimi.
Zëri i investimeve, për të cilën kryhen shumica e tenderimeve mban një peshë të konsiderueshme në buxhetin e universiteteve. Shpenzimet më të larta i ka realizuar Universiteti Politeknik i Tiranës. me një shumë prej rreth 4.1 milionë euro. Pas tij renditet Universiteti i Tiranës, me 3.6 milionë euro, ndërsa Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit ndjek me 3.5 milionë euro. Në vend të katërt qëndron Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit, me rreth 2.6 milionë euro të shpenzuara për investime.
Pagat dhe honoraret
Burimet njerëzore mbeten barra më e madhe për universitetet, ku në të gjitha rastet shpenzimet e personelit dhe honoraret zënë më shumë se 50%. Në Universitetin e Shkodrës dhe të Korçës, ky tregues është më i larti me 76.7%.
Universiteti me shpenzimet më të larta rezulton ai i Tiranës me një kosto vjetore 28.6 mln euro, nga ku 21 mln kanë shkuar për personelin dhe honorare. Politekniku mban vendin e dytë për shpenzime, 17.8 mln euro, ku 13 mln euro ka kushtuar vetëm stafi me pagat dhe honoraret.
Ai Bujqësor ka shpenzuar brenda vitit pothuajse 11 mln euro, ku më shumë se 8 mln euro janë vetëm paga dhe honorare. Universiteti i Mjekësisë rezulton me një kosto prej 11.2 mln euro në vit, 61% e të cilave shkon për personelin.
Jo më pak dorëlëshuar janë universitetet në rrethe, ku ndonëse ka një numër më të vogël studentësh se në Tiranë, shpenzimet janë të larta. Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka shpenzuar për vitin arsimor 2024-25, 13.17 mln euro, nga ku 8 milionë euro janë dhënë si paga dhe honorare. “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit ka shpenzuar 10.4 mln euro, nga të cilat 5.4 mln kanë shkuar për personel. Universiteti i Shkodrës ka shpenzuar pak më shumë se 6 mln euro dhe ai i Korçës. Në të dy këto universitete, personeli merr 76% të shpenzimeve vjetore.

Shpenzime të tjera
Vetëm 4.2% e shpenzimeve në 8 universiteteve me te medha te vendit janë investuar në kërkim shkencor nga buxheti i universiteteve. Sa i përket shpenzimeve për dieta dhe udhëtime, në krye të listës qëndron Universiteti i Tiranës, me një shumë prej rreth 331 mijë euro.

Në vitin 2022, pedagogët e universiteteve bojkotuan mësimdhënien në pritje të miratimit të kërkesës për rritje page nga qeveria, me argumentin se “buxheti i universiteteve është në funksion të studentëve”.
Shifrat tregojnë se as atëherë e as tani, kjo nuk rezulton e vërtetë. Ndonëse universitetet kanë shpenzuar miliona euro për mallra dhe shërbime që supozohet t’u vihen në dispozicion studentëve, ata nuk përfitojnë asnjë fasilitet.
Të anketuar nga Qëndresa, studentët shqiptarë shprehin se nuk përdorin dot internetin në ambjentet e universiteteve, nuk përdorin dot as kompjutera, printera dhe pajisje të tjera të ngjashme.
“Këto shpenzime tregojnë se vëmendja e universitetit ka qenë e përqendruar më shumë në përmirësimin e kapaciteteve teknike të stafit administrativ sesa në rritjen e aksesit të studentëve në pajisje dhe mjete bashkëkohore të të mësuarit”, shkruhet në raportin e QQ.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



