Arsim

Universiteti i Korçës, 10% më shumë aplikime se vjet. Interesimi më i madh për mësuesinë

Nga Gazeta Si- Edhe pse do të duhet të bëhet raundi i parë i regjistrimeve që nis në datën 29 Gusht, për të parë më mirë se cilat universitete dhe cilat degë kanë zgjedhur studentët, situata duket pozitive në Universitetin ‘Fan S. Noli’ në Korçë për këtë vit akademik.

Drejtuesit e institucionit thonë se ka një rritje të numrit të aplikimeve, në krahasim me një vit më parë.

Artur Adili, zv.rektori i Universitetit të Korçës ka deklaruar se më shumë maturantë kanë aplikuar në programet e studimit të Universitetit Fan Noli në Korçë për këtë vit akademik, ndërsa rritja kryesore duket se është në programet që janë prioritet kombëtar si mësuesia dhe bujqësia.

“Nëse në rang universiteti numri i aplikimeve është 10% më i lartë se vitin e kaluar, në 8 programet e mësuesisë, është shtuar diku 30% interesimi dhe numri i aplikimeve është me i lartë”, ka thënë zv.rektori Adili.

Universiteti Fan S. Noli në Korçë ka rreth 3000 studente dhe 51 programe studimi të nivelit 2 vjeçar, bachelor dhe master.

Rreth dy muaj më parë senati akademik vendosi që ky universitet të kthehej në një filial të Universitetit të Tiranës për shkak të numrit të ulët të studentëve.

Në vitin akademik 2022-2023, rektori i universitetit Dhimitër Bello u shpreh se janë regjistruar vetëm 450 studentë të rinj në degët e Infermierisë apo programet e 2-vjecare si ai i Edukimit Fizik dhe Sporteve.

Pasi hasi disa kundërshtime, senati i universitetit anuloi shkrirjen me Universitetin e Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë