Nga Gazeta Si – Mbështetja financiare për degët prioritare, mundësia e lartë për të gjetur punë dhe cilësia e diplomës kanë shtuar pritshmëritë e Universitetit Bujqësor të Tiranës për studentët e vitit akademik 2023-2024.
Profesor Fatbardh Sallaku, rektori i Universitetit Bujqësor thotë për Gazetasi.al se për momentin universitetet janë në një proces që nuk japin dot shifra për preferencat e maturantëve por pritshmëritë janë të larta duke parë edhe interesin që kanë treguar maturantët.
“Janë disa faktorë si mbështetja financiare për degët prioritare dhe cilësia e diplomës, mundësia për të gjetur punë, që ne jemi munduar të promovojmë me qëllim që të kemi sa më shumë regjistrime.

Gjithashtu janë edhe disa faktorë të tjerë që na bëjnë që këtë vit të kemi më shumë pritshmëri dhe besojmë se këtë vit do të kemi më shumë regjistrime”, thotë Sallaku.
Përfaqësues të Universitetit të Bujqësorit kanë promovuar programet në gjimnaze dhe në rrjetet sociale, duke vënë theksin më shumë tek mbështetja financiare dhe diplomat duale që ofrohen me Italinë dhe Vjenën.
“Ka pasur më shumë interesim se vitet e kaluara edhe pse nuk mund të themi që kjo përkthehet në Regjistrime. Ka patur prindër, miq apo dhe të rinj që kanë kërkuar informacione në ambientet e Universitetit apo nëpërmjet e-mail-eve në lidhje me programet që ne ofrojmë.
10 degë të përzgjedhura janë shumë
Sallaku shprehet se një shqetësim që duhet ngritur është edhe fakti se maturantët ju kerkohet të zgjedhin 10 degë në momentin që bëjnë aplikimin për universitet.
“10 degë janë shumë për një maturant që duhet t’i ketë idetë e qarta në momentin që zgjedh programin e studimit apo edhe universitetit. Kjo dhe e bën më të vështirë për ne që të kemi një pasqyrë më të qartë të interesave të maturantëve por edhe maturantët i shpërqendron shumë. 5 preferenca do të ishin të mjaftueshme që dhe maturantët të fokusohen tek ato të 5-ta”, thotë Sallaku.
PROGRAMET PRIORITARE NË UNIVERSITETIN E BUJQËSISË:
Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit
Shkenca Mjedisore “Menaxhimi i Burimeve Natyrore”
Inxhinieri Agrare “Mbrojtje Bimësh”
Inxhinieri Agrare “Hortikulturë”
Inxhinieri Agrare “Agronomi”
Inxhinieri Agrare “Agromekanizim”
Inxhinieri Agrare “Zootekni dhe Siguria e produkteve Blegtorale”
Inxhinieri Agrare “Biologji Marinë dhe Akuakulturë”
Inxhinieri Agrare “Bioteknologjia Zooveterinare”
“Agrobiologji”
Fakulteti i Shkencave Pyjore
“Inxhinieri Pyjore”
“Inxhinieri Përpunim Druri “
Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit
“Menaxhim Agrobiznesi”
“Menaxhim i Turizmit Rural”
Fakulteti i Mjekësisë Veterinare
“Mjekësi Veterinare”
Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit
“Teknologji Agroushqimore”
“Vreshtari – Enologji”
Të gjithë maturantët që do të studiojnë në programet prioritare do të përfitojnë një pagesë mujore prej 40 000 lekësh/muaj, gjithashtu nuk do të paguajnë tarifën e studimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



