Arsim

Universitetet, aplikuan mbi 80% e maturantëve. Degët inxhinierike më të preferuara, më pak mësuesia. Këtë vit s’ka raund të tretë, por të lirë

Mbi 80 për qind e maturantëve në të gjithë vendin kanë aplikuar në portalin e-albania për fazën e parë të regjistrimit në universitete. Data 3 gusht shënoi mbylljen e kësaj faze që nisi më 29 korrik, por ajo që vihet re është një tkurrje e aplikimeve në degën e Mjekësisë së Përgjithshme në universitetin e Mjekësisë në Tiranë.

Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arian Xhelaj, thotë se mbi 17.500 maturantë, nga 20 mijë që janë në total në sistem, e kanë bërë tashmë përzgjedhjen e tyre për minimalisht 1 deri në 10 preferenca të degëve të studimit në universitet.

Xhelaj tha se faza tjetër e regjistrimeve do të jetë më 15 shtator, ku do të rihapet portali e-albania dhe do të jenë 3 ditë në dispozicion të maturantëve, për të aplikuar në raundin e dytë.

Sipas drejtorit të rrjetit akademik shqiptar, duke patur parasysh nga eksperienca e viteve të kaluara, rreth 80 për qind e maturantëve zakonisht regjistrohen në 3 ditët e para të nisjes së procesit në fazën e parë, pra e kanë bërë zgjedhjen e tyre.

“Raundi i dytë është për ata pak maturantë që kanë mbetur pa regjistruar, plus për ata të tjerë që përfundojnë me sukses maturën në vjeshtë dhe aplikojnë përmes formularit A2.

Shansi i dytë i jepet më 15 shtator dhe asaj kategorie maturantësh që kanë mbaruar vitet e kaluara, por s’kanë aplikuar deri më sot. Pas datës 15 shtator, kemi gjithmonë një rihapje të formularit A1Z për këtë kategori maturantësh, të cilët duhet të checkojnë datat tek QSHA dhe të aplikojnë në datat e caktuara për tu bërë pjesë e portalit”, tha Xhelaj.

Degët inxhinierike më të preferuara, më pak mësuesia

Sipas të dhënave përfundimtare të RASH, në fazën e parë të aplikimeve për në universitet për 10 degët dhe 653 programet universitare të studimit, këtë vit akademik janë vënë në dispozicion 32 mijë kuota.

Sipas RASH, Tirana mbetet zgjedhja e preferuar e maturantëve për të studiuar dhe vendin e parë për numrin më të lartë të aplikimeve e mban Universiteti i Tiranës me mbi 11 mijë maturantë.

Më pas renditet Universiteti i Mjekësisë dhe ai Politeknik me afro 7 mijë secili dhe Universiteti Bujqësor me mbi 4 mijë si dhe universitetet rajonale.

Durrësi dhe Elbasani kanë normë më të lartë aplikimi me 3 mijë dhe më pas renditen Shkodra dhe Vlora.

“Aktualisht udhëheq mjekësia dhe degët e shëndetit së bashku me infermierinë janë në nivelin 24 për qind, informatika mbi 15% bashkuar inxhinieritë teknologjia dhe informatika, këto janë grupi kryesor që janë mbi 27 për qind, të cilët janë përzgjedhur së paku një nga këto degë nga maturantët.

Që do të thotë se interesi i maturantëve po shkon drejt atyre programeve të cilat mundësojnë punësimin e shpejtë menjëherë pas mbarimit të studimeve bachelor”, thonë burimet në rrjetin Akademik Shqiptar.

Sipas të dhënave të fazës së parë të regjistrimit, numrin më të ulët të aplikimeve e kanë degët e mësuesisë, me 8.5 për qind e aplikimeve totale.

Sipas RASH, këtë vit nuk ka raund të tretë, por ka një raund të lirë. “Kjo nuk funksionon që mund të aplikosh në çdo universitet që ka kuota të lira por duhet plotësuar kriteri i mesatares. Kriteret që janë të vlefshëm në raundin e parë, janë në të gjithë raundet e tjera”, thonë burimet nga RASH.

I gjithë procesi përfundon më 1 tetor, brenda një afati të pranueshëm para nisjes së vitit akademik. Duke patur parasysh se viti akademik nis më 2 tetor, I gjithë procesi përfundon më 1 tetor. Ndaj themi se mbi 95 për qind ulen në auditor që në ditën e parë të nisjes së vitit të ri akademik.

Më pas, janë 10 ditë në dispozicion për ata maturantë që e rimendojnë zgjedhjen dhe mund të ç’regjistrohen dhe shohin për kuota të tjera ku mund të aplikojnë.

Mjekësia, 1800 aplikime, 3100 ishin vitin e kaluar

Aplikimet në universitetin e Mjekësisë, këtë vit shënojnë rënie në raport me një vit më parë. Janë 1800 nga 3100 aplikime në vitin 2022, të cilat mund të lidhen me ndryshimet ligjore të miratuara nga qeveria për studentët e Mjekësisë, por edhe futja e testit të informatizuar shtesë.

Sipas të dhënave nga RASH, janë mbi 7500 aplikime, ku shumica janë në degën e Infermierisë.

Këtë vit në universitet kanë aplikuar 19,600 maturantë, duke pësuar një ulje me mbi 7% në krahasim me vitin e shkuar që ishin 21 mijë maturantë, ndërsa dy vite më parë ishin 23 mijë maturantë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë