Këshilli i Ministrave miratoi financim shtesë për universitetet publike. Sipas Ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ky financim do të shërbejë për ndërkombëtarizimin dhe programet prioritare.
Por a do t’i ndihmojë kjo qasje universitetet?
Ndriçim Mehmeti, ekspert arsimi i pyetur nga Gazetasi.al, shpjegon se nuk ka asnjë të keqe në këtë proces. Por, siç thotë eksperti, dilema është se sa efektiv do të jetë financimi.
“E rëndësishme është sa ndihmon kjo në këto aspekte: rritjen e cilësisë së universiteteve, përmirësimin në rankimin e tyre në rajon dhe Evropë si dhe sa do të nxisë ardhjen e studentëve të huaj në vend”, shprehet Mehmeti.

Ndërsa, për ekspertin e arsimit, Qemal Çejku ky vendim nuk është i studiuar mirë.
“Mund të jetë ndonjë qokë, por kurrë nuk mund të zëvendësojë fondet që duhen për kërkime shkencore. Universitet tona janë kthyer në gjimnaze teorike pa asnjë laborator e praktikë, studentët e tyre marrin një diplomë por kurrë një formim dhe një të ardhme për jetën e tyre”, shphrehet Çejku.
Sipas ekspertit ka shumë universitete që sot janë në vështirësi funksionimi për ligjin aspak të mirë të arsimit të lartë.
Çejku shpjegon se nuk ka të dhëna reale se si funksionon financimi i universiteteve.
“Ka kohë që universitet nuk kanë as autonomi ose nëse flasim autonomi pa fonde e grante, është si peshku pa ujë. Nuk kemi një harmonizim të sistemit arsimor mes shumë hallkave”, shpjegon më tej Çejku.
Si një zgjidhje eksperti shpjegon se duhet të kemi një lidhje të arsimit parauniversitar me ate të lartë, si dhe të arsimit bazë me atë parauniversitar.

Lidhur me të mirat që mund të kenë studentët nga ky vendim, Çejku shprehet se nuk do të preken dhe nuk do përfitojnë.
“Pas 3 vitesh tërmet e pandemi, akoma nuk kemi një analizë për gropat dhe strategjinë e përmirësimit të universiteve”, vijon eksperti.
Studimi i Qëndresës Qytetare: Nuk u mbajt premtimi i qeverisë për ndërkombtarizimin
Për drejtuesin e Qëndresës Qytetare, Rigels Xhemollari kjo deklaratë e ministres është një lojë fjalësh për të mbuluar dështimin me ndërkombetarizimin në vitin e parë të mandatit të tretë.
“U premtua se do të hapeshin degë të përbashkëta me Universitetin Teknik të Stambollit, por kjo nuk ndodhi. U premtua se do financohej 10 milion euro për hapjen e degeve të përbashkëta me universitetet e BE, nuk ndodhi, madje u mbyll edhe fondi i ekselences”, shpjegon më tej Xhemollari.

Sipas Xhemollarit që është marrë vazhdimisht me problemet e universiteteve publike, universitetet çdo vit kanë pasur mundësi të financohen jo vetëm nga qeveria, por edhe nga shumë programe të Bashkimit Europian.
“Për shkak të obezitetit të administratës së tyre në jemi vendi që thithim me pak fonde nga jashtë, pavarësisht se kemi numrin më të lartë të universiteteve në vendet e rajonit”, shton Xhemollari.
Aktivisti shton se ky vendim nuk do të ndryshojë ndonjë gjë, pasi universitetet me cilësi të lartë nuk janë të gatshme të njësojnë programet dhe vlerën e diplomës me ato shqiptare që performojnë si më të dobëtat në rajon.
Më tej, shton ai, ky vendim nuk do të ndihmojë tek studentët sepse pritshmëria e vetme e tyre (sipas sondazheve) është thjesht kartoni i diplomës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



