Arsim

Universitetet e Shqipërisë në fund të renditjes europiane dhe me rritje të korrupsionit

Nga Gazeta ‘SI’- Në raportin e vitit 2022, Universiteti i Tiranës u rendit në vendin e 3.878-të nga më shumë se 31 mijë universitete në të gjithë botën. Ky është vlerësimi më i lartë ndër universitetet tjera në vend, por më i ulëti në rajon dhe në vendet e fundit në Europë.

Në raportin e  “Ranking Web of Universities”, pas UT-së, në rang vendi vjen Universiteti Bujqësor i Tiranës, me shumë diferencë, duke u renditur në vendin e 4.486-të. Në vendin e fundit, renditet Akademia e Sigurisë, e cila pozicionohet në vendin e 31.535-të.

Nga vendet e rajonit, Universiteti i Ss Cyril and Methodius University në Shkup u rendit në vendin e 1.580-të. Universiteti i Malit të Zi, në vendin e 2.029-të dhe Universiteti i Beogradit në Serbi, me pozicionimin më të mirë në rajon, në vend të 455-të.

Në një raport të vitit 2020, nga OECD, theksohej se në Shqipëri Indeksi i Korrupsionit në shërbimin publik dhe edukim ishte rritur me 5 pikë, duke u pozicionuar në vendin e 36-të dhe se zgjedhjet e drejtuesve dhe administratorëve në institucionet arsimore janë në shumicën e rasteve, të politizuara.

I njëjti raport thekson se edukimi në Shqipëri është i pafinancuar, i keqqeverisur dhe i mungon kapitali human, duke bërë që nivelet e mësimit dhe mësimdhënësve, të jenë ndër më të ulëtat në Europë.

Më herët gjatë ditës së sotme, (18 tetor), kryeministri Edi Rama, në një takim me rektorët e universiteteve publike ritheksoi se është “e pafalshme” renditja e universiteteve shqiptare në botë. Bashkë me ministren e Arsimit, paralajmëruan për një rivlerësim të thellë ligjor të universiteteve dhe “kalim në sitë” të stafit.

Kjo deklaratë vjen pas bojkotit të pjesshëm që kanë bërë pedagogët në universitete dhe vazhdojnë protestën, ndonëse ka nisur viti i ri akademik. Kërkesa e tyre kryesore është rritja uniformë e pagës drejtpërdrejtë nga shteti, por kreu i qeverisë tha se rritja do të mbulohet 7% nga shteti dhe 8% nga vetë universitetet.

Pedagogët e Universitetit të Tiranës e kundërshtuan këtë propozim, me argumentin se buxheti i universitetit duhet t’u dedikohet studentëve dhe jo rritjes së pagave.

Sipas përcaktimeve ligjore përgjegjësinë e ekzekutimit të qëllimeve financiare dhe proceset e saj i takojnë Bordit Administrativ dhe Administratorit në një universitet.

Në vitin 2015, qeveria miratoi ligjin për Arsimin e Lartë ku universiteteve u jepej Autonomi dhe pavarësi financiare, ku një Bord Administrimi do të kontrollonte dhe monitoronte ato. Por, kusht është që kur universiteti nuk siguron 50% të buxhetit të tij vetë, mazhoranca e Bordit përbëhet nga anëtarë që vijnë nga MAS.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë