Unioni Turistik Shqiptar, i ka dërguar një letër Kryeministrit Edi Rama, ku i kërkon marrjen e masave, lidhur me zgjidhjen e problematikave, të cilat pengojnë ecurinë e turizmit në vend.
Shoqata ka kërkuar që qeveria t’iu mundësojë hoteleve heqjen e limitit maksimal për prodhimin e energjisë diellore, në mënyrë që të përballohet konsumi që nevojitet, pasi aktualisht ka hotele që konsumojnë mbi 2000 kW në muaj, dhe ligji nuk iu lejon më shumë se 500 kW.
Po ashtu, kërkohet zbritja e pragut të TVSH, 6%, për të gjitha hallkat e turizmit.
Unioni kërkon nga qeveria heqjen e PCR tamponit për vendet fqinje që ta aksesojnë më lehtë Shqipërinë. Kërkojnë heqjen e vizave për vendet e pasura të Lindjes së Mesme dhe Azisë që kanë dëshirë të vizitojnë vendin tonë, por nuk munden.
Kërkohet subvencionimi i operatorëve turistike që të stimulojnë ardhjen e turistëve të huaj në Shqipëri. Gjithashtu, Unioni i drejtohet qeverisë për një ligj të ri dedikuar hapjes së degëve arsimore për profesionet e turizmit duke rritur standardin e tyre.
Shoqata kërkon mbulimin 6 mujor të shpenzimeve për bizneset sezonale që nuk kanë biznes të dytë. Po ashtu dhe monitorime e kontrolle të rrepta në terren për ata që nuk janë të licencuar dhe ata që shesin ushqime dhe produkte ambulante.
“Ne si shoqata më e madhe e komunitetit të biznesit të turizmit kërkojmë nga qeveria që të gjendet një formulë për të rishikuar mundësinë e ndihmës për këto sipërmarrje, për të cilën sugjerojmë që të subvencionohen ose të përjashtohen nga tarifat e reja të energjisë deri në shtator të këtij viti, në mënyrë që të kenë mundësi të respektojnë kontratat e lidhura me operatorët e huaj, të cilët nuk mundet në asnjë mënyrë që të bëjnë rritje të çmimeve, pasi çmimet e paketave janë të fiksuara që më parë në katalogjet e tyre dhe të publikuara kohë më parë dhe përveç kësaj një pjesë e madhe e paketave të ofruara prej tyre janë shitur me early booking me çmimin e publikuar”, thuhet në letër.
Letra mban firmën e kryetarit të Unionit Turistik, Rrahman Kasa, i cili thotë se duke marrë në konsideratë potencialin që ka turizmi në ekonominë shqiptare, për shkak të goditjes së marrë nga tërmeti, pandemia dhe tani, nga rritja e çmimit të karburanteve dhe energjisë, thuhet se kjo situatë e është bërë shumë e vështirë për turizmin dhe veçanërisht për hotelerinë.
Kërkesat i dërgohen dhe ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro dhe asaj të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



