Vende dhe Udhetime

Turizmi masiv dhe ndryshimet e klimës, UNESCO propozon të shtojë Venecian në listën e vendeve të rrezikuara

Ndryshimet klimatike dhe turizmi rrezikojnë të shkaktojnë ndryshime të pakthyeshme

UNESCO rekomandon përfshirjen e Venecias në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik.

“Zhvillimi i vazhdueshëm, ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe turizmi masiv rrezikojnë të shkaktojnë ndryshime të pakthyeshme në vlerën e jashtëzakonshme universale të Venecias”, vëren Qendra e Trashëgimisë Botërore, një degë e UNESCO-s, e cila rekomandon mbishkrimin e saj në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik.

Ky rekomandim për t’u zbatuar do të duhet të votohet në shtator nga shtetet anëtare të organit të OKB-së. Nuk është hera e parë që Venecia rrezikon të përfundojë në këtë listë, ishte gati të përfundonte në këtë listë dy vite më parë, por më pas më e keqja u shmang.

Sipas Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, masat e marra deri më tani për të luftuar përkeqësimin e situatës në Venecia janë “të pamjaftueshme”, veçanërisht për shkak të turizmit masiv dhe ndryshimeve klimatike.

Ndër të tjera, Qendra e Trashëgimisë Botërore beson se “ndërtesat e larta”, të cilat mund të “kenë një ndikim të rëndësishëm negativ vizual” në qytetin lagunor, duhet të ndërtohen larg qendrës së Venecias. Ndërsa rritja “e nivelit të detit” dhe “fenomene të tjera ekstreme të motit” të lidhura me ngrohjen globale “kërcënojnë” integritetin e zonës.

Sërish sipas ekspertëve të Qendrës së Trashëgimisë Botërore, zgjidhja e këtyre problemeve “vjeçare por urgjente” pengohet nga mungesa e një vizioni të përbashkët strategjik global si dhe nga një efektshmëri dhe koordinim i dobët midis autoriteteve lokale dhe kombëtare të Italisë.

Ekspertët besojnë se Venecia përballet me një rrezik real dhe për këtë arsye rekomandojnë përfshirjen e kryeqytetit venecian në listën e zezë të trashëgimisë botërore në rrezik, duke shpresuar se kjo hyrje do të çojë në një angazhim më të fortë dhe një mobilizim më të gjerë të aktorëve vendas, kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Mendimi i Qendrës së Trashëgimisë Botërore, e cila i konsideron masat e marra nga Italia “të pamjaftueshme”, aktualisht është vetëm tregues. Që Venecia të hyjë vërtet në listën e trashëgimisë botërore në rrezik, do të kërkojë miratimin e shteteve anëtare të mbledhur në një takim të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të planifikuar për 10 deri më 25 shtator në Riad, Arabi Saudite.

E themeluar në shekullin e 5-të dhe më pas duke u bërë një nga fuqitë më të mëdha detare në botë, djepi i artit dhe tregtisë, Venecia shtrihet mbi 118 ishuj.

Ajo u bë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1987.

“Venecia në tërësi është një kryevepër e jashtëzakonshme arkitekturore sepse edhe monumenti më i vogël përmban vepra të disa prej artistëve më të mëdhenj në botë si Giorgione, Titian, Tintoretto Veronese dhe të tjerë”, shpjegon organi i OKB-së në një shënim.

Për shkak të kushteve të jashtëzakonshme, unike në botë, Venecia është ndër qytetet më të vizituara dhe më të brishta në planet. /Il Sole 24 ore/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë