Arsim

UNESCO: Ankthi i nxënësve shqiptarë për matematikën ka rënë në 6 vitet e fundit

Nga Gazeta Si- Nivelet e rezultateve të të nxënit të adoleshentëve ranë në lexim dhe veçanërisht në matematikë ndërmjet viteve 2018 dhe 2022. Në këtë përfundim del UNESCO në raportin vjetor të të nxënit.

Sipas treguesve, globalisht, 51% e fëmijëve arrijnë nivelin minimal të aftësisë në lexim në fund të shkollës fillore dhe 50% në fund të shkollës së mesme të ulët. Ndërkohë, 39% e fëmijëve arrijnë nivelin minimal të aftësisë në matematikë në fund të shkollës fillore dhe 40% në fund të shkollës së mesme të ulët.

Ndërkohë, një tjetër e dhënë në raport është edhe indeksi i ankthit të nxënësve për matematikën, ku Shqipëria ndodhet mes vendeve që ka rënie të ankthit.

Që nga viti 2003, PISA ka tentuar të vlerësojë ankthin e matematikës tek nxënësit 15-vjeçarë. PISA mat ankthin e matematikës duke u kërkuar nxënësve t’i përgjigjen gjashtë pohimeve me nivelet e dakordësisë “nuk pajtohem plotësisht”, “nuk pajtohem”, “pajtohem” ose “plotësisht dakord”.

Nxënësit mund të përgjigjeshin me: “Shpesh shqetësohem se do të jetë e vështirë për mua matematika”; “Unë shqetësohem se do të marr nota të dobëta në matematikë”; ‘Tensionohem shumë kur më duhet të bëj detyrat e matematikës’; ‘Bëhem shumë nervoz duke bërë problemet e matematikës’; “Ndihem i pafuqishëm kur bëj një problem matematike”; dhe ‘Ndihem i shqetësuar për dështimin në matematikë.’

Përgjigjet janë grumbulluar për të formuar indeksin PISA të ankthit të matematikës, duke ofruar një masë të standardizuar për të krahasuar nivelet e ankthit në vende të ndryshme dhe me kalimin e kohës.

Në raport, shkruhet se indeksi i ankthit të matematikës u rrit në një mënyrë statistikisht domethënëse në 37 vende dhe ekonomi midis 2012 dhe 2022, veçanërisht në Austri, Danimarkë, Gjermani, Islandë, Lituani, Poloni, Sllovaki, Suedi, Turqi, Shtetet e Bashkuara dhe Vietnam.

“Në të kundërt, ankthi ndaj matematikës ka rënie të ndjeshme në Shqipëri, Francë, Hungari, Jordani, Republikën e Koresë, Katar, Rumani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe”, thuhet në raport, ku ndër të tjera shkruhet se ka një sërë faktorësh kompleksë kuontribuojnë në zhvillimin e ankthit të matematikës përtej vetëm performancës akademike.

Një faktor i tillë është vetë-perceptimi negativ. Gjetjet nga PISA 2022 theksojnë se, mesatarisht, më shumë se 6 në çdo 10 nxënës shprehin shqetësime për aftësinë e tyre për të pasur sukses në klasat e matematikës. Në të kundërt, nxënësit me një mentalitet besimi në vetvete, të karakterizuar nga besimi në përmirësimin e aftësive dhe inteligjencës, zakonisht kanë nivele më të ulëta ankthi në krahasim me bashkëmoshatarët.

Por, në raport shkruhet se në 46 nga 73 vendet dhe ekonomitë e anketuara, nxënësit, pavarësisht se përjetojnë nivele të larta ankthi, performojnë më mirë në matematikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë