Suadela Balliu – Ne dimë të jemi Charlie Hebdo! Për të disatën herë e sa herë do të jetë nevoja për të mbrojtur lirinë e shprehjes mbi çdo ekstremizëm. Ne dimë të solidarizohemi me “Black Lives Matter”, kur dhuna policore në ShBA jehoi në çdo kënd të botë falë internetit dhe mbushi sheshet me protestues, edhe në kohë pandemie. Sepse jeta e një afro-amerikani vlen njëlloj me të kujtdo shtetasi tjetër në tokën e “mundësive” dhe këtë dëshmuan qytetarët në mes të kufizimeve sociale si masa ndaj koronavirusit për t’u thënë mjaft shkeljeve të përsëritura të punonjësve të policisë. “I can’t Breathe”, u bë lajtmotivi i pankartave në tubime, ndërsa videoja mizore e efektivit të policisë me gjunjët mbi qafën e viktimës George Floyd mbushi me indinjatë të madh e të vogël.
A dimë të jemi Klodian, në një vend ku jemi të gjithë Klodianë?
Të trembur për jetën më shumë se kurrë që peshohet aq pa vlerë, në kandarin e rendit. Me tmerrin se mos ora policore na kap ende jashtë derës së shtëpisë, në ndonjë rrugicë qorre e të pandriçuar si thuajse të gjitha në kryeqytet. Me sikletin se mos mbajtja e maskës do na detyrojë të paguajmë ndonjë gjobë, që na vjen bashkë me faturën e dritave apo qoftë dhe vetëm bezdia të ndalesh nga efektivët e policisë, ku në jetën tënde nuk ka kryer kurrfarë shkeljeje…
Skenari e tejkalon absurdin e “Procesit” të Kafkës, ku në mes të pakuptimësisë gjithsesi i shkohet rrugës së procedurave, ndonëse natyra e krimit mbetet e pazbuluar sa për protagonistin aq edhe për lexuesin. Procesi nuk rrëfen historinë e fatit të një individi, po ka aspekte politike dhe vizionare për t’u lexuar si një parashikim vegimtar i tmerrit nazist, ngulmonte filozofi Adorno mbi veprën e shkrimtarit të Bohemisë, shkruar më 1925. Një prelud ndoshta i terrorit të regjimeve autoritare dhe totalitare.

Klodian Rasha ishte protagonist i një sfondi ndoshta edhe më absurd se Jozef.K i Kafkës, në një epokë që e vë theksin tek liritë e të drejtat e njeriut, me synimin për t’i zgjeruar ato, por po aq hileqare ku në emër të jetës si më e çmuara sa nga metafizikja aq edhe nga ana kushtetuese.
Vrasja e Klodianit, një djalë në të njëzetepestat e tij që në kujtesën kolektive do të mbetet i ngrirë me një buzëqeshje që nuk mundi ta gëzojë bashkë e rininë e tij, i ngjan një filmi të errët, një horrori hitchcock-ian, ku vrasësi mban uniformë policie.
Gjithçka ndodh natën, bash si në filmat e tmerrit, por ky është nga ato raste ku për fat të keq realiteti ia kalon trillit dhe imagjinatës. Nuk ka dëshmitarë, veç zërave të efektivëve policisë që përpiqen – ndoshta edhe duke e ditur se më kot – ta argumentojnë dhe legjitimojnë veprimin.
I riu vrapoi, policia e ndoqi, në terr u duk se diçka lëvizi dhe …më pas të shtënat në veshët e familjarëve, vetëm pak metra larg derës së shtëpisë.
Më perversja nga të gjitha, detajet postume. I riu kishte precedentë penalë. Të thëna, të shkruara, të përsëritura nga zëdhënësit e forcave të rendit, tek përcjellësit mediatikë, mëtojnë të zhurmojnë në nënvetëdijet qytetare peshoren e vlerave, të një shtetasi.
Ashtu siç bënë pak kohë më parë me djaloshin e rrahur brutalisht në parkun e liqenit artificial nga forcat e rendit, ku detajet se e ëma mund të qe punonjëse seksi a diçka e ngjashme ( e pavërtetë kjo!), e bënin të riun qenie më pak të vyer.
A nuk jemi të gjithë të barabartë para ligjit? A nuk mbrohet jeta me Kushtetutë dhe Konventa të të Drejtave Themelore të Njeriut? A nuk i paguajnë detyrimet me ligjin shtetasit në institucionet penitenciare apo sipas rastit, të gjykuara e vulosura me vendime të Drejtësisë?
Çfarë kërkohet të përçohet përmes rreshtave? Çfarë mund të thuhet për ata përdhunues të miturish, vrasës në seri a anëtarë apo kryetarë të grupeve të strukturuara kriminale, që jetojnë dhe marrin kujdes – sado në kufizime fizike – në burgje me paratë e taksapaguesve? A nuk jetojmë në një vend që e ka hequr dënimin kapital me vdekje në emër të të drejtës së njeriut për jetën?!
Të tjera hollësi tinëzare që çmbështillen me kalimin e orëve përdorin sërish peshoren e “vlerave”. Efektivi i policisë, kishte vetëm dy javë tek “Shqiponjat”, “është babai i një fëmije të mitur” dhe “jeton me qira”… Një baba, punonjës me gjasë i ndershëm që jeton me qira përballë një viktime, me precedentë penal për “Plagosje me dashje” e postmortum, edhe posedues i një arme zjarri.
Me dritën e mëngjesit, disa orë pas ngjarjes, një tjetër deklaratë e Policisë i shton detajeve një armë, në posedim nga viktima. Edhe nëse kishte armë a i jepte kjo të drejtë efektivëve të policisë të hapnin të shtënat ndaj qytetarit? A pati shkëmbim zjarri mes forcave të policisë dhe “të dyshuarit”? A ishte ai në mes të një aksioni policor dhe nuk iu përgjigj thirrjeve për t’u dorëzuar? A shtiu ai i pari ndaj efektivëve, të cilët në kushtet e vetëmbrojtjes, pas thirrjeve të përsëritura për dorëzim, qëlluan mbi të riun në gjymtyrë të trupit, ku plagët e marra si pasojë nuk do të kishin rrezik për jetën?
Ku e dinte policia se nuk kishte të bënte me një qytetar me paaftësi fizike apo mendore, i pamundur për të dëgjuar ndoshta apo folur apo edhe kuptuar thirrjet e policisë? Sa siguri kishin ata që “i dyshuari” nuk kishte leje të posaçme për të lëvizur pas orës 22:00?
Në këto muaj pandemie, me forcat e policisë të përqendruar tek postblloqet e automjeteve, por edhe të kalimtarëve, në kohën e Mbylljes së Madhe e tani tek mbajtja e maskave, të krijojnë dhunshëm përshtypjen se befas çdo krim është zhdukur dhe shkelësit më të mëdhenj janë ata që nuk mbajnë maska, dalin pa autorizim apo nuk respektojnë orën policore.
Tanimë njerëzit ecin rrugës, të ngarkuar me adrenalinën e frikës së po kryejnë diç të jashtëligjshme. I mbaj mend ato ditët e fundit të prillit, kur nisa të dal për të shkuar në redaksi, që megjithë autorizime e baidge gazetari në çantë, zemra më rrihte fort kur kaloja para ndonjë postblloku të policisë. A u ndalua për bè ndonjë kriminel i kërkuar gjatë kontrolleve për muaj të tërë?
Por edhe atyre ditëve, ligji “i barabartë për të gjithë” i përjashtonte të privilegjuarit që merrnin rrugën e jugut e pushonin me grupe brigjeve të Jonit dhe me karshëllëk, postonin fotografi, ndërsa pjesa tjetër “e të barabartëve” ishte zhytur edhe më thellë në hapësirën virtuale, duke kundruar të zilepsur ata që kishin mundësi të dilnin, pa e çarë kokën për lejen tek “e-albania” me fasha një orëshe për psonisjen e domosdoshme. Ashtu siç nuk qe i barabartë për të gjitha ato vetura luksoze që shëtisnin, kur ne të tjerët ecnim më këmbë nga njëri skaj në skajin tjetër të Tiranës. Ashtu siç nuk është i barabartë për atë që u “shkelin syrin” efektivëve të policisë, përtej orës policore…

E gjitha kjo ndërmendte “krim-mendimin” e Oruellit tek “1984” apo filmin “Equilibrum”, ku në një shoqëri post-apokaliptike, post-lufte, “paqja” ka arritur deri në atë pikë sa të jashtëligjshme cilëson emocionet.
E megjithatë vjedhësit, dhunuesit e përdhunuesit, vrasësit e keqbërësit janë aty, duke kryer gjithfarë veprash penale e megjithë arritjet për të cilat shprehet krenar ministri Lleshaj, që u ka dhënë për përfaqësim fytyrën e tij të gjitha forcave të Rendit, as janë ndaluar nga policia e as janë dënuar nga Drejtësia. Lleshaj sot hesht. Hesht edhe Ardi Veliu. Sado akti është individual, i efektivit të policisë. Eprorët duhet të mbajnë përgjegjësi. Ministri ca më shumë…
Të gjithë i mbajmë mend emocionet e kryeministrit, që i mori meritat personale se masat kufizuese të tij kishin parandaluar katastrofën, sesi ishte i pranishëm kudo dhe kurdo me zë dhe fytyrë, duke këshilluar deri tek larja e duarve dhe hapja e dritareve. Të gjithë i mbajmë mend parakalimet e tankeve në qytetin e zbrazët, ndërsa strukeshim edhe më brenda shtëpive, si vendi më i sigurt për t’u ruajtur nga ai, armiku i padukshëm.
Daljet e pambarimta, në çdo orë të kryeministrit, i cili si një baba i kujdesshëm i kombit hapi edhe një linjë telefonike duke iu përgjigjur personalisht shqetësimeve të kujtdo dhe portreti i tij në çdo ekran, i ngjante jo pak “Vëllait të Madh” oruellian, atij që di dhe i sheh të gjitha…Por siguria që ai jepte, duke theksuar prevalencën e shëndetit dhe jetës mbi çdo veprimtari tjetër njerëzore (padyshim e para në hierarki, por në sistemet e ndërtuara shoqërore e pamundur të ekzistojë pa ndërveprimin e fushave të tjera), i ngjante një doze “opiumi” për të fjetur të qetë se e nesërmja do të qe më e mirë.
Të shkelësh orën policore e të rrezikosh të vritesh “me dy hurma në dorë”, të transporton në ankthin – të cilin e kemi ndjerë në libra e filma – të atyre që vriteshin nga nazistët gjatë Luftës apo tmerrin e rrëfyer nga shqiptarët e Kosovës gjatë orës policore, nën pushtimin e Millosheviçit.
Në mes të këtij absurdi – jo se shqiptarët nuk janë mësuar me regjime absurde dhe dhunë nga pushteti apo me kufizime deri tek liria e shprehjes -, tingëllojnë tragjikshëm groteske fjalët e ministres së Shtetit Elisa Spiropali se “këto ndodhin edhe në botë, bëhen edhe filma”.
E vërtetë, ndodhin edhe në botë, edhe në botën e zhvilluar perëndimore madje si ShBA, ku shoqëria e grupe të tjera e kanë ngritur zërin duke denoncuar dhunën e policisë.
Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ka deklaruar se efektivi i policisë ka shkelur ligjin duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme. Për ekspertët ligjorë, nuk është ky rasti. Rasti e do që prokuroria, e cila ka nisur prej kohësh reformimin në Drejtësinë e Re, të hetojë për veprën “Vrasje me dashje”.
Me lot, mes shiut i ati i Klodianit, teksa e përcillte për në banesën e fundit me zë të thyer zbulonte ëndrrat për ta martuar të birin, e jo për t’ia kthyer tokës në moshë aq të re, vrarë nga uniformat për të cilët paguajmë taksa për të na siguruar rendin e për të na mbrojtur, në radhë të parë jetën. Po, zoti kryeministër, paguajmë taksa që shteti dhe institucionet e tij të ekzistojnë dhe veprojnë, përndryshe do të ishin kompani private apo OJQ, me gjithë ironitë tuaja se shqiptarët nuk paguajnë taksa në rastin më të keq e në rastin më të mirë, nuk e dinë sa.
Aty brenda qenkësh edhe taksë e vdekjes, për një vepër që as viktima e as ne qytetarëve, si në një roman absurd nuk na bëhet e ditur.
Ajo që dimë është se Klodiani është vrarë. Me të po vritemi me frikën, se jeta ka kaq pak vlerë, edhe ne, Klodianët e tjerë. Jeta e shqiptarëve ka rëndësi!!!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




