Njerez

‘Unë jam i jueji e ju jeni të mijt’

Nga Gazeta “SI” – Më 12 mars 1992 në Lenggries të Bavarisë, Gjermani, në moshën 66 vjeçare ndërroi jetë poeti Martin Camaj. I arratisur nga Shqipëria në vitin 1948 Camaj i kaloi 48 vite të jetës së tij fillimisht në Beograd, në Romë dhe deri sa u vendos përfunmisht në Mynih. Ai nuk arriti të kthehej më kurrë në vendlindje dhe vdiq me brengën e pamundësisë për ta vizituar edhe një herë vendin e tij.

Në mesditën e 12 Marsit 1992 Erika, bashkëshortja e Martin Camajt, njofton familjen në Shllak për vdekjen e Martinit. Siç ishte zakoni, në malësi, hapen dyert e mortit për të vdekurin, ndërkohë në oborrin e kullës, mbi një dërrasë të gjatë të mbuluar me një copë, vajtohej mbi një palë tesha të cilat zëvëndësonin të vdekurin.

Edhe pse trupi i Martinit gjendej në Gjermani dhe ceremonia e tij mortore u krye një jave mbas vdekjes, në kullën e Kolë Camajt ishte hapur morti e gjithashtu ishin njoftuar gjamatarët. Trupi i Martin Camajt u varros në Mynih ku në ceremoninë mortorë morën pjesë miq dhe shokë të tij.

Sipas një dëshmie të gazetarit Ilir Seci, të vëllait të Martinit, Gjergjit  iu mohua viza gjermane. Në këtë mënyrë,  një nga poetët më të mëdhenj shqiptarë varroset larg nga toka e tij dhe pa praninë e familjarëve.

Në fjalën e mbajtur në kishë, miku i tij prej një jete dhe disidenti Arshi Pipa shkruante  ndër të tjera për Camajn:

“Vdekja e Martin Camajt âsht nji humbje e madhe, nji humbje kombëtare. Thom kështu mbasi Martini ka qenë përfaqësuesi mâ i naltë, mâ i denjë i kulturës shqiptare në kohnat tona. Përveç se poet, ai ka qenë shkencëtar i gjuhës, editor i “Shejzat” revistës mâ të mirë shqipe të periudhës së mbas luftës, pedagog në Universitetin e Munich-ut, titullar i së vetmes katedër të gjuhës shqipe në Gjermani, prej së cilës kanë dalë albanologë të shquem nën drejtimin e tija…”

Ceremonia mortore në Mynih

“Unë jam i jueji, e ju jeni të mijtë”

Nga Beogradi në Milano, Romë dhe më vonë në Mynih, Camaj nuk rreshti kurrë së qëni një gjuhëtar i klasit të parë i cili mendonte dhe besonte se gjuha shqipe ishte një nga gjuhët më të pasura të Europës. Vokacion tw cilin e konkretizoi nw vitin 1971 duke themeluar katedrën e gjuhës shqipe në  në Universitetin “Ludwig-Maximillian të Mynihut”.

Ai shkroi dhe botoi në mërgim 11 vepra në proze dhe poezi ku spikati me romanet “Djella” , “Dranja” dhe “ Karpa” si dhe vëllimin me poezi “Lirika mes dy moteve” .  Në një inçizim vetëm pesë ditë para vdekjes ai do t’u drejtohej bashkëatdhetarëve me këto fjalë :  “Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë populli shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve.

Gëzohem pa masë se keni vendosur të vlerësoni veprën time: Ky vlerësim na afron. Bátë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë