Treg

Unaza e Vogël kalon Bllokun / Deri në fund të 2023, çmimet e apartamenteve në Tiranë u rritën me 41%

Nga Gazeta ‘SI’ -  Një metër katror i një apartamenti në Tiranë shitet mesatarisht me 1.548 euro, sipas të dhënave të Keydata Albania, publikim nga Çelësi Media.

Shifrat i përkasin tremujorit të fundit të 2023-shit, ndërkohë që matjet krahasohen me vitin 2021.  Që nga ajo kohë, indeksi tregon se çmimet mesatare të banesave në kryeqytet janë rritur me 41%.

Indeksi analizon trendin e çmimeve në tre zona, Bllok, Unazë e Vogël dhe jashtë Unazës së Vogël. 

Në vlerë, apartamentet në Bllok janë më të shtrenjta, mesatarisht 2.160 euro/m2, rritur me 45%, por shtrenjtimin më të madh e ka pasur Unaza. Sipas indeksit, çmimi mesatar i shitjes brenda Uazës së Vogël, u rrit me 56% dhe raportohet 1.804 euro/m2.

Rritje të konsiderueshme ka pasur edhe në zonat jashtë Unazës, deri në 1.434 euro/m2, rreth 38% më të larta se në 2021-shin.

Edhe çmimet mediane janë rritur nga 2021-shi në 2023-shin, me 42.1%, nga 991 euro/m² në 1,452 euro/m².

Keydata analizon se rritja që nisi që pas pandemisë së Covid, kulmoi në tremujorin e tretë të 2023-shit, me rritje 21%.

Për ekspertët e tregut imobiliarë, rritja e çmimeve të banesave, e cila shkon përtej Tiranës, është rezultat i kërkesës së lartë, ofertës së ulët dhe rritjes së kostove për ndërtuesit. Raporte nga institucione vendase dhe ndërkombëtare, flasin për aktivitetin e pastrimit të parave si arsyeja kryesore e shtrenjtimit të pronës në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë