Autoriteti Rrugor Shqiptar ka sqaruar projektin për Unazën e Madhe të Tiranës.
Ndërtimi i “Unazës së Madhe” në Tiranë do të shoqërohet me prishjen e një numri të madh ndërtesash, që janë të vendosura përgjatë gjithë segmentit nga “Pallati me Shigjeta” te sheshi “Shqiponja”.
Kreu i ARRSH-së, Afrim Qendro, u shpreh se ky rikualifikim do të shoqërohet me prishjen e disa objekteve. Ai shtoi se ky projekt është me rëndësi 100-vjeçare, ndërsa ndërtimi sipas tij do të shoqërohet me të gjitha elementët urbanë. Sipas tij, nga verifikimi në terren janë konstatuar 317 objekte që preken nga projekti, 163 prej të cilëve janë në proces legalizimi dhe do të skualifikohen, 123 janë me vërtetime pronësie dhe pastaj për të tjerat nuk ka asnjë lloj informacioni.
“Projekti është me rëndësi 100-vjeçare dhe do të shoqërohet me të gjithë elementët urbanë. Kemi dalë në terren dhe kemi bërë vlerësimin paraprak. Nga ky kontroll na del se në total janë 317 objekte. Janë edhe objekte të tjera që nuk ka informacione të detajuara. Kemi dy kategori objektesh, me dokumente pronësie dhe në proces legalizimi”, u shpreh Qendro.
Ndërkohë, prej dy ditësh me dhjetëra banorë të Unazës së Re kanë bllokuar rrugën në shenjë proteste për mbrojtjen e pronës së tyre.
Ata pretendojnë se punimet që po bëhen për ndërtimin e “Unazës së Madhe” po u prishin shtëpitë dhe bizneset ende në proces legalizimi.
Banorët janë shprehur se janë njoftuar vonë për këtë vendim, i cili po i nxjerr në qiell të hapur pa marrë asnjë dëmshpërblim për pronën e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.