Lajme

Ulja e dënimit të Dajtit, KLGJ: Çështja do trajtohet sipas ligjit

Vendimi i dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për Dritan Dajtin, do të trajtohet me përparësi nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit.

Në një reagim, KLGJ bën me dije se do ta shikojë çështjen që po zvarritet prej 10 vjetësh në sistemin gjyqësor, me përparësi, paanshmëri dhe profesionalizëm.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka njoftuar se është depozituar kërkesa e Ministrit të Drejtësisë, në të cilën kërkohet hetimi disiplinor i veprimtarisë së anëtarëve të trupës gjyqësore, që kanë gjykuar çështjen kundër të dënuarit Dritan Dajti, me arsyetimin se këta gjyqtarë, kanë kryer shkelje të rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, shkak mbi të cilin ka kërkuar në vijim edhe marrjen e masës së shkarkimit nga detyra.

“Nisur nga kjo kërkesë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, informon publikun se kjo çështje do të trajtohet me përparësi, paanshmëri dhe profesionalizëm. Këshilli do të bëjë vlerësimin e duhur, në përputhje me kuadrin e ri ligjor dhe do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm në respektim të ligjit”, është reagimi i KLGJ-së.

Ditët e fundit, ambasadori i BE-së në Tiranë, Soreca dhe presidenti Meta, kanë kërkuar urgjentisht një hetim të plotë nga ana e KLGJ-së dhe Prokurorisë për vendimin e uljes së dënimit të Dajtit nga ana e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda.

Edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, i bërti thirrje KLGJ-së që ta trajtonte me seriozitet këtë vendim dhe të dënonte gjyqtarët që kishin bërë shkelje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë