Pak ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda që shpëtoi nga burgu përjetë Dritan Dajtin, një tjetër hap është hedhur nga akuza.
Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë të cilës i kërkon prishjen e vendimit të Apelit dhe rikthimin e dënimit me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, i cili akuzohet për vrasjen e 4 oficerëve të policisë në 2009 në Durrës.
Ky i fundit, u dënua me 25 vite burg nga Shkalla e Dytë, e cila i pranoi gjykimin e shkurtuar duke i ulur dënimin. Vendim për të cilin, organi i akuzës nuk ishte dakord, duke kërkuar dënimin e tij me burgim të përjetshëm dhe mospranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar. Gjykata e Shkallës së Parë, e dënoi Dajtin me burgim të përjetshëm, për vrasjen e 4 policëve në 2009-ën.
Gjithashtu, Shkalla e Parë, nuk i pranoi Dajtit as kërkesën për gjykim të shkurtuar. Ndërkohë, prokuroria tashmë i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs, duke kërkuar prishjen e vendimit të Apelit, si një vendim i pabazuar dhe dënimin e Dajtit me burgim të përjetshëm.
Dy ditë më parë, pesë gjyqtarët e deleguar si gjyqtarë të Apelit për Krimet e Rënda, kanë zbardhur vendimin për Dritan Dajtin dhe e kanë dorëzuar atë pranë Apelit të Krimeve të Rënda pikërisht ditën e fundit kur skadonte dhe afati 30 ditor.
Në vendim arsyetohej se përse u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar dhe për rrjedhim zbritja e dënimit nga burgim i përjetshëm në 25 vjet heqje lirie.
Gjykata e Apelit thotë në vendimin e zbardhur prej 269 faqesh, se rrëzimi nga shkalla e parë e kërkesës së Dajtit, për ritin e gjykimit të shkurtuar, është i pambështetur në ligj dhe në prova dhe si e tillë, ajo i rivendoset si e drejtë nga shkalla e dytë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




