Menaxhim

Ujësjellësit, një dhimbje koke edhe për OSHEE-në. Deri në fund të marsit, borxh 30 mld lekë

Nga Gazeta ‘SI’ – Situata e njësive të ujësjellësit në vend vijon të përkeqësohet. Shifra të tjera tregojnë të ardhmen jo fort të sigurt të këtyre shoqërive.

Së fundmi, ministria e Financave ka treguar se në fund të marsit 2023, UK-të në vend kanë akumuluar një borxh prej rreth 28 mld lekësh ndaj OSHEE-së. Nga këto pjesa më e madhe janë faturime të papaguara dhe pjesa tjetër kamatvonesa.

Sigurisht, sipas bashkive, UK e Durrësit ka peshën më të madhe në këtë borxh, rreth 4.4 mld lekë. ndjekur nga Vlora, 1.5 mld lekë dhe Kurbini me 1 mld lekë. Energjia zë rreth 40% të kostove totale të kësaj industrie.

Vetë ministria e Financave tregon se ujësjellës-kanalizimet kanë vështirësi në mbledhjen e të ardhurave dhe në pagimin e detyrimeve. Keqmenaxhim që mund t’i çojë drejt falimentimit.

UKD që rezultonte më problematikja edhe pse me tarifat, të ardhurat dhe subvencionet më të larta, shpalli falimentimin. Agjencia Kombëtare e Ujësjellësve, AKUM, e mohoi këtë dhe tha se ishte lëvizje në sajë të reformës.

Në vitin 2022 startoi procesi i reformimit dhe riorganizimit të Sektorit të Ujit, në përputhje me Strategjinë Kombëtare të “Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve 2020-2030”. Synimi është rigrupimi i 58 ndërmarrjeve UK aktuale, përmes rigrupimit të tyre në 15 shoqëri SKP-UK rajonale, me qëllim final menaxhimin optimal dhe rritjen e performancës së tyre financiare.

Ministria e Financave sqaron se deri në mars 2023 janë arritur marrëveshjet e transferimit të aktivitetit të shërbimeve ndërmjet 50 bashkive dhe si rrjedhojë janë krijuar 12 shoqëri UK rajonale nga 15 të parashikuara sipas reformës.

Shoqëritë e reja rajonale të krijuara janë: “SKP UK Korçë, SKP UK Pogradec, SKP UK Durrës, SKP UK Lezhë, SKP UK Dibër, SKP UK Kukës, SKP UK Berat, SKP UK Elbasan, SKP UK Gjirokastër, SKP UK Fier, SKP UK Lushnje, dhe SKP UK Sarandë.

Mbeten 11 bashki të cilat ende nuk kanë firmosur marrëveshjet e bashkëpunimit për krijimin e 3 shoqërive rajonale përkatësisht: “SKP UK Shkodër, SKP UK Tiranë dhe SKP UK Vlorë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë