Sabina Veizaj – Në Prishtinë në datat 10-13 mbahet edicioni i 9-të i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë. Një nga përfaqësuesit prej Shqipërisë, do të jetë shkrimtari Besnik Mustafaj.
Jeton Neziraj, dramaturgu dhe drejtuesi i Qendrës Multimedia që pret këtë festival, në një intervistë për Gazetën “Si” tregon qëllimin, vlerat, kujt i shërben ky aktivitet. Cilat janë risitë e këtij viti dhe pritshmëritë e tij.
Jetoni punon intensivisht dhe me “maniakllëk” për projektet e tij, por në fund të përgjigjet me modesti se ajo që pret është thjesht “një festival i mbarë – kjo nënkupton, mot të mirë, publik fantastik si zakonisht, raki e qef… Pra, pres një festë të mbarë letrare.”
POLIP vjen në edicionin e 9 të tij. Cila është tema qendrore e festivalit?
Sivjet festivali ka si nëntitull të tij “Ujdia Letrare”, që është edhe si fokus tematik i sivjetshëm. Kur thuhet “marrëveshje” kryesisht mendohet për ndonjë “punë”, e në Balkan edhe për ndonjë “punë të leverdishme” e cila realizohet përkundër rrethanave të pafavorshme politike. Kur thuhet “letërsi e shkëlqyer” kryesisht mendohet për librat nga top listat e bestsellerëve, e në Ballkan mendohet edhe për librat, të cilët kanë arritur t’i kalojnë kufijtë të cilët i kanë vendosur monopolet tregtare të një vendi.

Të rrallë janë ata që mendojnë për marrëveshjen apo për letërsinë që, përkundër rrethanave të pafavorshme e shpeshherë edhe të pamundura, kanë arritur ta ndryshojnë ambientin politik, konstelacionin politik, kanë arritur ta hapin tregun e ideve e bankave t’ua dirigjojnë një mënyrë tjetër të të bërit biznes, botuesve t’ua ndryshojnë perspektivën ndërsa autorëve t’u mundësojnë takime me kolegët e tyre që deri dje ishin të paimagjinueshme.
Historia e re ka shënuar dy momente të tilla. Njëri e ka ndryshuar imazhin e Evropës së pasluftës, ndërsa tjetri po e ndryshon imazhin e Ballkanit. Në fakt, tetëmbëdhjetë vjet pas Luftës së Dytë Botërore Charles de Gaulle dhe Konrad Adenauer nënshkruan Marrëveshjen eElisesë, duke i dhënë kështu fund konfliktit të ngrirë ndërmjet këtyre dy shteteve. Traktati i Elizesë hapi mundësi të reja të bashkëjetesës evropiane për njerëz, ide, libra, materiale e të mira jomateriale. Nga kjo marrëveshje lindi një koncept i plotë i pajtimit, u themeluan forume e organe të reja në fushën e mbrojtjes, kulturës, arsimit, mbrojtjes së mjedisit, ekonomisë e financave. Por, ajo që i parapriu kësaj marrëveshjeje ishte kultura – para së gjithsash letërsia – e cila menjëherë pas luftës mori guximin të përballej me temat e pakëndshme nga e kaluara. Kësisoji, lëvizja feministe dhe e majtë në Francë, por edhe autorët e Grupit 47 në Gjermani i hapën rrugë marrëveshjes e cila po e ndryshonte fytyrën e Evropës.
Vitin e shkuar në liqenin e Prespës u nënshkrua marrëveshja me të cilën iu dha fund kontestit disadekadësh ndërmjet Maqedonisë (së Veriut) dhe Greqisë. Për këtë hap u desh angazhimi i domosdoshëm i intelektualëve e shkrimtarëve maqedonë e grekë kundër regjimeve të shkuara të së djathtës. Revolucioni shumëngjyrësh në Shkup dhe protestat këmbëngulëse të SIRIZ-ës, me gjithë idealet e lëkundura revolucionare, ndikuan te ndryshimet e qëndrueshme drejt pajtimit në Ballkan.
Marrëveshja e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nga viti 2013 e deri më sot nuk ka bërë ndonjë hap të madh. Në anën tjetër kanë kaluar 20 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Komanovës me çka iu dha fund konfliktit të luftës, por pajtim ende nuk ka. Nga njëra anë, përgjegjëse është BE-ja e cila këmbëngul të ketë negociues të cilët nuk janë të denjë për këtë detyrë historike, e në anën tjetër kemi elita politike të cilat e mohojnë realitetin shoqëror dhe kulturor, si dhe bashkëpunimin mes skenave të pavarura kulturore të Serbisë dhe të Kosovës. A është e mundur marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës? Sa është e fuqishme ujdia letrare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës? A është e mundur të ndikohet në ngecjen politike? Historia na mëson se është e mundur. Gjithsesi përderisa ujdia nuk nënkupton profite për individët në konfliktin e ngrirë, por nënkupton fitore të kulturës dhe të shoqërisë ndaj politikës së kaluar.
Nga marrëveshja politike do të mund të lindte një botë e re e Serbisë dhe e Kosovës në marrëdhëniet e dyanshme të ndërtuara mbi besim dhe shkëmbim të ndërsjellë të ideve dhe të të mirave.
Cilat janë risitë këtë vit?
Festivali POLIP sivjet po i mbush dhjetë vjet që nga marrëveshja e dy grupeve të pavarura letrare nga Beogradi dhe Prishtina dhe që nga nisja e tij më 2010. Në ndërkohë, festivalit iu bashkuan shumë shoqata e institucione, ai tashmë i ka tejkaluar kornizat rajonale dhe është shndërruar në festival ndërkombëtar të letërsisë. Sivjet, në kuadër të polipit, për herë të parë do të kemi edhe Festivalin Ndërkombëtar i Novelës Grafike në Kosovë – Gran FEST. Pra, festivali polip sivjet është nikoqir dhe njëkohësisht kumbarë i një festivali tjetër, të cilin e ka ideu dhe të cilin e kuron artistikisht artisti i mirënjohur shqiptar që jeton në Barcelonë, Gani Jakupi.
Programi sivjet është jashtëzakonisht i pasur me diskutime, seminare, lexime e ëorkshope të cilat ndodhin në lokacione të ndryshme, në Prishtinë, Graçanicë e Prizren. Rreth 40 artistët e sivjetshëm vijnë nga rreth 20 shtete të ndryshme të botës. Për kënaqësinë tonë, sivjet nga Shqipëria vjen shkrimtari i mirënjohur Besnik Mustafaj.
Ide të kujt ishin?
Festivali kurohet artistikisht nga Alida Bremer nga Gjermania, Sasa Iliq nga Serbia dhe nga unë. Pra, shumica e debateve, fokusi tematik, emrat e shkrimtarëve që ftojmë e gjithçka tjetër koncpetohet e kurohet në mënyrën më demokratike të mundshme nga ne të tre. Natyrisht, kemi edhe miq të tjerë që na këshillojnë për shkrimtarë e për tema, si Eli Krasniqi, Arian Leka, Jazra Khaled e të tjerë.
Cilat janë prurjet? Si bëhet përzgjedhja e të ftuarëve?
Më herët përmenda Besnik Mustafaj, ndërkohë që, nga Shqipëria sivjet kemi edhe një autore të re nga atje, Mariklena Niço, ndërkohë nga Sërbia vjen shkrimtari i mirënjohur, Srete Ugriçiq, pastaj shkrimtarja zvicerane me origjinë hungareze, Melinda Nadj Abonji, nga Amerika vjen Tom Kaczynski, nga Zvicra Gerhard Meister, nga Greqia vjen Eleni Suela Douxi, nga Gjermania vjen shkrintarja me origjinë nga Azerbejxhani Olga Grjasnoëa, nga Japonia vjen artisti i njohur i novelave grafike Fumio Obata, nga Anglia për festivalin GRANFest vjen Dave McKean, poashtu, per GRANFest vijnë edhe argjenitnasi Marcello Quintanilha, nga Franca vjen Hermann-i dhe Frank Margerin etj etj.
Pra, janë rreth 40 emra shkrimtarësh e artistësh, disa me famë botërore. Përzgjedhja e artistëve për GRANFest është bërë nga Gani Jakupi, ndërsa shkrintarët e tjerë janë përzgjedhur nga Sasa Iliq, Alida Bremer e unë.
Cilat janë temat e paneleve të diksutimit?
Disa nga panelet kryesore që do të kemi janë “Shekulli i opinioneve” , që do të moderohet nga Alida Bremer, “Ujdia letrare – rruga revolucionare”, me panelistë Sreten Ugriciq dhe Veton Suroi, kurse moderohet nga Sasa Iliq, pastaj “Kreativja vs informata manipulative” që është kuruar dhe moderohet nga Gani Jakupi dhe “Polisi paralel, një koncept disident që është në gjueti të së tashmes”, e ku, panelistë do të jenë shkrintar e artistë nga Çekia e Kosova, ndër ta edhe Shkelzen Maliqi.
Sivjet, kemi dy aktivitete interesante, njëri është homazh për regjisorin e ndjerë Bekim Lumi. Aktorët Kosovarë do të lexojnë disa prej poezive të Lumit, të papublikuara më parë. Bekim Lumin e kemi njohur si regjisor, por ai ka lënë edhe shumë poezi të shkëlqyeshme. Poezitë e tij do të lexohen të shtunën në mbrëmje. Të dielen në mbrëmje ndërsa do të prezentojmë punën e një grupi prej 10 shkrintarëve e artistëve të rinjë, si pjesë e The ËORD LITERARY FORUM, a Spoken Ëord Co-op Project. Punimet që do të lexohen do të jenë pjesë e një punëtorie intensive katër ditore, që do të drejtohet nga Gerhard Meister (Bern), Dragan Protic Prota (Beograd) dhe Shpëtim Selmani (Prishtinë).
The WORD LITERARY FORUM, a Spoken Ëord Co-op Project është bashkëpunim ndërmjet Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë – polip (Prishtinë), Festivalit KROKODIL (Beograd) dhe Bern ist überall (Bern).
Forumi i Fjalës Letrare dëshiron të realizojë një “trafikim të veçantë me njerëz”. Kjo hapësirë krijon kushte të mira për autorët e fjalës së thënë. Ajo synon ta zhvillojë më tej zanatin dhe të mundësojë shkëmbim më domethënës kulturor. Malli në këtë rast janë njerëzit dhe tekstet e tyre, zanati është të shkruarit dhe performanca. Tri qytetet, Beogradi, Berni dhe Prishtina, janë ndalesat e para.
Çfarë është Polip në vetvete? Kujt i shërben?
Polip i shërben, para së gjithash, lexuesit në Kosovë, por edhe autorëvë që preznatojnë punët e tyre. Ai është krijuar si një platformë që lidhë skenat letrare në regjion dhe përtej, u jep mundësi autorëve të rinjë të rriten letrarisht, të krijojnë kontakte dhe të prezentojnë publikisht punën e tyre, para lexuesit e para botuesve të ndryshëm. Publiku në Kosovë ka mundësi të bie në kontakt me një literaturë super të zgjedhur dhe të dëgjojë ligjërata e diskutime tejet interesante, me tema të zgjedhura dhe relevante për kohën.
Rajonet tona ndodhen në një situatë të pafavorshme politiko-ekonomiko-sociale. Ju jeni shumë kritik në punën tuaj të shkrimtarisë së dramave ndaj realitetit të cilin e godisni fort me mjetet tuaja. Si shërben ky festival në këtë drejtim?
Them se vet ekzistenca e këtij festivali, formati i tij, mysafirët e ftuar e bëjnë këtë festival të jetë kritik, të jetë njëlloj ‘opozite’ politike, por edhe ‘letrare’ nëse duam, sepse, autorët që ftojmë janë kryesisht autorë që nuk u takojnë estabilishmenteve e garnizoneve letrare që radhiten krah pushteteve dhe krah ideve populliste.
Sipas jush, a mundet letërsia të ndryshojë apo edhe të ndikojë në ndryshime të realitetit politik e më gjerë?
Them se po, por kjo s’do të duhej të ishte ‘agjenda’ primare e letërsisë. Ajo para së gjithash duhet të jetë letërsi e mirë dhe, si e tillë, ajo vetvetiu e ndihmon shoqërinë dhe eventualisht, mund të ketë edhe impakt politik.
Çfarë prisni nga ky edicion?
Para së gjithash, pres një festival të mbarë – kjo nënkupton, mot të mirë, publik fantastik si zakonisht, raki e qef… Pra, pres një festë të mbarë letrare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.