Lajme

UEFA vendos sot për Euro 2020, përparësi kampionatet dhe kupat

Përparësi kanë kampionatet dhe Kupat e Europës, pastaj Europiani. UEFA vendos sot, në bashkëpunim me të gjitha federatat e saj, Liga dhe klube të ndryshme, si dhe me një përfaqësi futbollistësh, si do të procedohet për të çuar në fund sezonin e trazuar tashmë nga Koronavirusi.

Duket e sigurt shtyrja e Euro 2020 (hipoteza më e mundshme për në qershor të 2021), pasi përparësi do të kenë kampionatet kombëtare dhe kupat, Championsi dhe Europa League, që duhet të mbyllen mes muajve maj dhe qershor, gjithmonë nëse situata kontinentale i kthehet shpejt normalitetit në harkun e dy muajve të ardhshëm. Në mbledhjen e parë të UEFA-s do të marrin pjesë UEFA, ECA (shoqata e klubeve), Ligat dhe Shoqata e Futbollistëve. Në orën 13:00 do të ketë një mbledhje të dytë mes UEFA-s dhe 55 federatave. Në fund, në orën 14:00, do të jetë mbledhja e jashtëzakonshme e Ekzekutivit.

Qëllimi është që të fiksohet një kalendar i qartë, së pari kur do të zhvillohet Europiani dhe kur do të luhen ndeshjet e shtyra të Championsit dhe Europa League, si dhe datat kur do të mbyllen kampionatet. Çështja është mjaft delikate, sepse janë në lojë edhe interesat ekonomikë. Spostimi i Euro 2020 do të thotë humbje e madhe parash, të paktën 300 milionë euro dhe për këtë do t’u kërkohet të kontribuojnë edhe klubeve, Ligave dhe federatave.

Do të diskutohet në këtë mbledhje edhe çështja e kontratave të futbollistëve që përfundojnë në qershor. Janë shumë argumente, që shpresohet të diskutohen me një shpirt konstruktiv, për të mirën e përbashkët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë