Në rast se operatorët e linjave të transportit qytetës, rreth qytetës dhe ndërqytetës vendosin të mos operojnë më, ata do të zëvendësohen me subjekte të përkohshme me qëllim mbulimin dhe vazhdimin pa ndërprerje e këtij shërbimi ndaj konsumatorit shqiptar.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndryshuar procedurat licencuese përmes nëj udhëizmi ku përcaktohen se edhe në rastet e falimentimit apo heqjes së licencës për operatorët ekzistues, autoriteti licencues mund të lidhë një kontratë të përkohshme me një subjekt të licencuar për shërbimin në linjat e rregullta të transportit të udhëtarëve.
Udhëzimi parashikon po ashtu se subjekti mund të ofrojë shërbimin edhe nëpërmjet mjeteve shtesë të marra me qira, ndërkohë që afati i autorizimit vendoset nga autoriteti licencues, në përputhje me kushtet dhe afatet procedurale të pajisjes me autorizim, duke garantuar mbulimin dhe vazhdimin e plotë të shërbimit gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, udhëzimi saktëson se subjekti, i cili do të tërhiqet, ka shpallur falimentimin apo i hiqet licenca, ka detyrimin të mbulojë me shërbim linjën deri në 1 muaj pas njoftimit për tërheqje ose fillimit të procedurave të falimentit, apo marrjes së vendimit për heqjen e licencës, nëse do kërkohet nga autoriteti licencues.
Ndryshimet propozohen në një moment ë kur operatorët e licencuar për operimin e linjave të transportit qytetës e ndërqytetës kanë kërkuar mbështetjen e qeverisë për shkak të situatës së vështirë financiare të krijuar nga COVID-19 dhe jo rrallë kanë bërë presion për të ndërprer aktivitetin sepse nuk e përballojnë dot financiarisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



