Arsim

Udhëzimi që ndalon telefonat në mësim, prindërit: E pamundur, ua lëmë silent në çanta

Nga Gazeta Si- Këtë vit të ri shkollor, Ministria e Arsimit ka miratuar udhëzimin më të fundit për ndalimin e telefonave në mësim, për shkollat e arsimit parauniversitar.

Ky udhëzim shoqërohet me një formular që firmoset nga prindi i nxënësit, ku thuhet ndër të tjera se në rast të kapjes së fëmijës me telefon në mësim, do t’i sekuestrohet aparati i celularit.

Të pyetur nga Gazetasi.al disa prindër thonë se e kanë firmosur formularin e megjithatë nuk i kanë lënë fëmijët pa telefon.

“Unë punoj gjithë ditën. Nuk kam njeri për të shoqëruar fëmijët në shkollë. Ata marrin njëri-tjetrin. Si mund të jem e qetë kur vajza më del më herët se djali nga mësimi, apo e kundërta? Ua kam dhënë celularët me vete, megjithë urdhrin për ndalimin e tyre. Uroj të mos kapen, sepse i kam porositur të mos i hapin gjatë zhvillimit të mësimit”, thotë Alda, punonjëse në një institucion privat në Tiranë.

Kurse një tjetër prind thotë se prej vitesh e bën një gjë të tillë. Pra, telefon silent në çantën e shkollës.

“Kanë disa vjet që na kërkojnë të mos u japim telefona fëmijëve ama siguri për fëmijën nuk na japin. Nëse fëmija përfundon mësimin më herët, nëse ka një problem, unë nuk mund të pres që mësuesja kujdestare të më lajmërojë, sepse ajo ka dhe fëmijë të tjerë”, thotë Sonila, që e ka djalin e vogël në klasën e 4-të në një nga shkollat 9-vjeçare në Tiranë.

Megjithë firmën që kanë vendosur prindërit për dakordësi në udhëzimin e ministrisë së Arsimit, edhe ky vit duket se do të kalojë me njërin sy mbyllur nga mësuesit dhe drejtuesit e shkollave.

Udhëzimi për ndalimin e telefonave u miratua për herë të parë në vitin 2018 ku me firmë të ish-ministres së Arsimit Lindita Nikolla, u vendos ndalimi në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare i telefonit celular nga nxënësit dhe mësuesit.

Sipas udhëzimit të Nikollës, ata që shkelin urdhrin e ministrisë do të përballen me penalizime që nisin me masë disiplinore për nxënësit dhe sekuestrim të telefonit, i cili përfundon në Policinë e Shtetit.

“Në rast të konstatimit të disponimit të telefonit celular nga nxënësit në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare, drejtoria e institucionit sekuestron telefonin celular dhe zbaton masa disiplinore sipas kuadrit ligjor në fuqi. Telefonat e sekuestruar depozitohen pranë institucioneve arsimore vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar. Masat e marra ndaj nxënësit i njoftohen me shkrim prindit ose kujdestarit ligjor të nxënësit”, citohet në udhëzim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë