Njerez

Udhëtimi i Fatos Nanos- Nga burgjet te maja e pushtetit

Nga Gazeta Si- Ka ndërruar jetë një nga figurat më emblematike të politikës shqiptare pas rrëzimit komunist, Fatos Nano.

Në drejtimin e tij, Partia Socialiste u transformua rrënjësisht, duke nisur nga emri e më pas edhe nga mentaliteti.

Fatos Nano u kritikua, u tërhoq, u rikthye dhe u mbështet gjatë viteve të tij politike, që nuk ishin aspak vite të lehta.

Megjithatë, ai ishte i pari, e mbetet deri më tani i vetmi, që pasi drejtoi vendin 4 herë si kryeministër, dhe Partinë socialiste për më shumë se 14 vjet, u tërhoq nga politika, pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2005.

I lindur më 16 shtator të 1952-it, në Tiranë, Fatos Nano, ndoqi gjimnazin “Sami Frashëri” dhe në vitin 1975 u diplomua për ekonomi politike në Universitetin e Tiranës. Pas përfundimit të studimeve të larta, eksperiencat e tij profesionale përfshinë pozicione të ndryshme nga ekonomist në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, si studiues në Institutin e Studimeve marksiste-leniniste, më pas po si ekonomist në fshatin Priskë të Tiranës, për t’u rikthyer sërish në Institut, në gjysmën e dytë të viteve ’80, si kërkues mbi problemet socio-ekonomike dhe të reformave të tregjeve në bllokun e lindjes. Njohës i disa gjuhëve të huaja, gjatë kësaj periudhe ai dha leksione në disa fakultete të Tiranës. Bashkëkohësit e tij, dallonin tek ai mprehtësinë e mendimit, aftësinë e analizës dhe mendësinë liberale.

Kapërcimi në politikë

Fundi i viteve 1990 ishte pikë kthese për Shqipërinë, në tentativën për t’u shkëputur nga e shkuara komuniste.

Pikërisht në dhjetor të atij viti, pas protestave të studentëve, Nano u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.

Një muaj më pas, ngjitet në postin e zëvendëskryeministrit, në qeverinë e Adil Carçanit, të cilit do t’i zërë vendin, si kryeministër në fund të muajit shkurt ‘91. Qeveria e tij do të përgatiste zgjedhjet e para pluraliste në vend, të 31 marsit, në të cilat Partia e Punës rikonfirmohet në pushtet.

Kështu, ai u bë kryeministri i parë i një vendi që kishte nisur një rrugë larg komunizmit.

Në krye të qeverisë së formuar më 11 maj ai qëndroi më pak së një muaj. Më 4 qershor vjen dorëheqja, për t’i hapur rrugë qeverisë së stabilitetit.

Më 12 Qershor të vitit 1991, në kongresin e 10-të të Partisë së Punës lind Partia Socialiste dhe Nano u zgjodh kryetari i parë i saj.

Nga burgu te betejat brenda PS

Më 30 korrik 1993, kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano u arrestua, pasi u paraqit në zyrën e  zëvendësprokurorit të Përgjithshëm Fatos Dervishi, i thirrur me urdhër të tij.

Disa minuta më pas, Nanos iu vunë prangat, nën akuzën: Vjedhje, shpërdorim të detyrës në favor të të tretëve”.

Pas një sërë seancash në Gjykatën e Tiranës, në të cilat Nano shfaqej përherë me pranga në duar, më 3 prill 1994 një trup gjykues vendosi që të dënohej me 12 vjet burg.

Burgosja e tij u pa gjerësisht si një vendim me sfond politik, prapa së cilës qëndronte presidenti i kohës Sali Berisha, i cili kishte një kontroll të plotë mbi prokurorinë.

Nga qelitë e Bënçës ai do të neutralizojë përpjekjet e disa eksponentëve socialistë, për ta shmangur atë nga kontrolli i Partisë. Pas trazirave që pasuan rënien e firmave piramidale, ai del nga qelia në mars të 1997-ës, dhe përfiton nga amnistia e dekretuar po nga Berisha. Në korrik të po atij viti, pas fitores në zgjedhje e 29 qershorit, ngrihet kabineti qeveritar Nano 3.

Por dhe këtë herë nuk do të qëndrojë shumë gjatë. Vrasja e Azem Hajdarit 12 shtatorin e vitit 1998, e pasuar dy ditë më pas nga protesta, ai dorëhiqet, për t’ia lënë drejtimin e qeverisë dyshes së të rinjve Pandeli Majko si kryeministër dhe Ilir Meta si numri 2.

Pak muaj më pas më pas, më 20 Janar 1999, ai jep dorëheqje nga drejtimi i partisë, duke kërkuar thirrjen e kongresit të Jashtëzakonshëm. Për Nanon nuk është një largim, por një përpjekje për t’u rikthyer me një legjitimitet më të fortë dhe ndërmerr një tur në bazën e Partisë. Në 9 tetor të po atij viti, në Kongres, do të përballet në garën për kryetar të socialistëve, me Pandeli Majkon, i cili mbështetej dhe nga Meta. Është një nga momentet e rralla të demokracisë brenda një force politike. Nano arrin të fitojë, me një diferencë prej vetëm 36 votash.

Majko do të dorëhiqet pak ditë më vonë si kryeministër, ndërsa Nano kishte arritur marrëveshje me Metën, duke bërë ndarjen e postit të kryetarit të partisë me atë të kryeministrit, e për pasojë duke ia besuar drejtimin e qeverisë, pikërisht Metës.

Të dy udhëheqin fushatën e zgjedhjeve të 2001, ku socialistët konfirmohen.

Si kryetar i Partisë socialiste Nano bëhet protagonist i debatit të vetëm televiziv ndonjëherë në Shqipëri mes kreut të mazhorancës dhe opozitës në vend, kur u vu përballë Sali Berishës 31 janarin e vitit 2002. Së bashku me Berishën arrin një marrëveshje për reformën zgjedhore me kreun e opozitës Sali Berisha, dhe të dy më pas zgjedhin Alfred Moisiun, në krye të presidencës.

Pas dorëheqjes së Pandeli Majkos në korrik 2022, krijohet Nano 4, dhe si Majko ashtu dhe Meta, mbahen brenda kabinetit qeveritar. Kjo do të ishte edhe periudha më jetëgjatë e Nanos si Kryeministër, fiks 3 vite.

Edhe në jetën personale, Nano është dalluar nga gjithë të tjerët.

Në 2002-shin, Nano 50 vjeç zyrtarizoi lidhjen me 24-vjeçaren Xhoana. Më herët ai ishte divorcuar pas 27 vitesh martesë me Rexhinën, një veprim që asokohe nuk ishte aspak i zakonshëm.

Rruga përpara në drejtimin e vendit dhe të Partisë, ishte me ulje ngritje jo të vogla dhe humbjet në zgjedhjet e vitit 2005, do të shënojnë fundin politik të Fatos Nano.

Ai zgjodhi vetë të largohej, si nga drejtimi i partisë si dhe nga politika, duke lënë gjithmonë një gjurmë të madhe në Partinë Socialiste si lider historik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë