Komunitet

A do të udhëtojnë shqiptarët e vaksinuar në BE? Tirana s’ka negociata me asnjë vend, çfarë thonë ambasadat për Gazeta “Si”

Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi të enjten rregullat e reja mbi të cilat vendet anëtare do të mund të lejojnë udhëtimet jo-thelbësore apo udhëtimet për qëllime turistike nga qytetarët e vendeve të treta si Shqipëria.

“Ky ndryshim i përgjigjet fushatave të vazhdueshme të vaksinimit, duke prezantuar heqje të kufizimeve për personat e vaksinuar dhe duke lehtësuar kriteret për heqjen e kufizimeve për vendet e treta. Në të njëjtën kohë, ai merr parasysh rreziqet e mundshme të paraqitura nga variante të reja, duke vendosur një mekanizëm frenimi emergjence për të reaguar shpejt ndaj shfaqjes së shqetësimeve në një vend të tretë.”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e bërë publik nga krerët e BE-së.

Sipas njoftimit, “nëse vendet anëtare pranojnë prova të vaksinimit, për të hequr dorë nga kufizimet e udhëtimit, të tilla, si: testimi ose karantina, ata në parim duhet të heqin kufizimet për udhëtime jo-thelbësore për udhëtarët e vendeve të treta, që kanë marrë dozën e fundit të rekomanduar të një vaksine të aprovuar nga EMA, të paktën 14 ditë para mbërritjes në destinacionin e udhëtimit”.

Sipas këtyre rregullave mund të mendojmë me të drejtë se Shqipëria mund të jetë një nga përfituesit, por kjo nuk dihet ende me siguri, edhe për faktin se shumë shqiptarë janë vaksinuar me vaksina të paautorizuara nga EMA.

Sipas njoftimit të Këshillit të BE-së, vendet anëtare do të mund të lejojnë udhëtimet e  “personave të vaksinuar me vaksina të autorizuara nga Agjencia Evropiane e Barnave”, si dhe “të qytetarëve të pavaksinuar, por që vijnë nga vende ku numri i rasteve të identifikuara të COVID-19 është jo më i lartë se sa 75 për 100 mijë banorë.”

Në Shqipëri numërohen mbi 700 mijë vaksinime, ndërkohë që të tjera vaksinime kryhen çdo ditë, por shqetësim për shumë qytetarë mund të shkaktojë fakti se pjesa më e madhe e këtyre vaksinimeve janë kryer me vaksinën kineze, e cila nuk është autorizuar nga Agjencia Europiane e Barnave.

Nga ana tjetër, vaksinat e autorizuara nga BE, si Pfizer apo Astrazeneca janë të pakta në vendin tonë.

Por a ka kërkuar ose a po negocion Shqipëria me vende të Bashkimit Evropian për hapjen e kufirit edhe për shqiptarët e vaksinuar, pavarësisht llojit të vaksinës me të cilën ata mund të jenë vaksinuar, qofshin këto vaksina edhe kineze?!

Ambasada Italiane: Mes dy vendeve nuk ka negociata

Një një prononcim për Gazetasi.al nga Ambasada Italiane në Shqipëri, bëhet me dije se mes dy vendeve “nuk ka negociata për diçka të tillë”.

“Është në interesin e përbashkët që kufijtë të hapen sa më shpejt të jetë e mundur, sapo të jenë kushtet e duhura”, vijohet më tepër nga Ambasada, ndërsa vërehet se “Nuk ka ende asnjë skemë ligjore, as në Itali, përsa i përket udhëtimit të atyre që janë vaksinuar”.

Ambasada e Italisë në Tiranë njoftoi pak ditë më parë rregullat e reja të vlefshme deri në 30 korrik, në të cilat, shqiptarët nuk lejohet të hyjnë në Itali, me përjashtim të rasteve kur udhëtojnë për studime apo kanë lidhje familjare me një shtetas të BE-së apo një person me leje qëndrimi italiane.

Ambasada Gjermane: Nuk ka ndryshim për kufizimet me Shqipërinë

Edhe në vende të tjera si Gjermania, nuk mund të themi nëse shqiptarët e vaksinuar do të mund të udhëtojnë apo jo së shpejti.

“Në vendimin për kufizimet e udhëtimeve hyrëse, Qeveria Federale orientohet nga vendimet dhe rekomandimet e marra në rrethin e BE-së dhe Schengen-it. Për Shqipërinë deri tani nuk ka ndryshim përsa i përket kufizimeve të udhëtimeve hyrëse – kjo do të thotë që për shtetasit shqiptarë është e mundur hyrja vetëm në rastet e një domosdoshmërie absolute” thuhet në një përgjigje zyrtare dhënë Gazetasi.al nga Ambasada Gjermane.

Ndërkohë, përfaqësues nga Ambasada Gjermane nënvizojnë se nuk ka ende një vendim nga BE dhe është shpejt të flasim përsa i përket lejimit ose jo të udhëtimit drejt vendeve të BE të personave të vaksinuar me vaksinën kineze.

Nisur nga situata epidemiologjike pozitive Shqipëria që prej datës 9 maj, nuk kategorizohet më si zonë rreziku për Covid-19.

Megjithatë, ky zhvillim nuk ndryshon asgjë në kufizimet e hyrjes.

“Sipas një rekomandimi të BE-së nga shtetasit rezidentë në Shqipëri do të lejohen edhe më tej të udhëtojnë drejt Gjermanisë apo Bashkimit Evropian vetëm ata që ushtrojnë një funksion të rëndësishëm apo udhëtimi i të cilëve është domosdoshmërisht i nevojshëm! Udhëtime për qëllime thjesht turistike nga Shqipëria drejt Gjermanisë do të jenë fillimisht, sikundër deri më tani, të pamundura.

Nuk janë më të nevojshme detyrimi i testimit (me përjashtim të atyre, që hyjnë në rrugë ajrore), regjistrimi digjital i udhëtimit dhe detyrimi i karantinës. Për udhëtarët, që hynë në Gjermani në rrugë ajrore, vazhdon të jetë në fuqi detyrimi i një testi përpara nisjes (test PCR- jo më herët se 72 orë përpara fluturimit, ose test antigjenesh, jo më herët se 48 orë përpara fluturimit).”

Ndërkohë, vërehet se udhëtarët e vaksinuar plotësisht me një prej vaksinave: AstraZeneca, Moderna Biotech, Janssen-Cilag, BioNTech (sipas faqes së internetit: https://www.pei.de/DE/arzneimittel/impfstoffe/covid-19/covid-19-node.html) apo të shëruarit  (jo më pak se 28 ditë pas shërimit dhe jo më shumë se 6 muaj pas tejkalimit të infeksionit), të cilët zotërojnë një dokument, që provon vaksinimin apo shërimin, i formuluar në gjuhën gjermane, angleze, franceze, italiane apo spanjolle, në versionin hard copy apo atë digjital, nuk është e nevojshme të paraqesin një test negativ në momentin e hyrjes në rrugë ajrore nga Shqipëria në Gjermani.

Përgjithësisht vlen të thuhet, që rregullat e karantinimit në Gjermani vendosen nga landet federale.

Britania e Madhe: Nuk ka kufizim bazuar te lloji i vaksinave

Në një prononcim për Gazetasi.al nga ana e Ambasadës Britanike, “Kufijtë me Britaninë e Madhe tashmë janë të hapur dhe qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë lirisht drejt Britanisë, nëse respektojnë kërkesat e vendosura në lidhje me testimin dhe karantinimin.”

“Pak rëndësi ka nëse janë të vaksinuar me vaksinën kineze apo çfarëdolloj vaksine, pasi kjo nuk ndryshon asgjë në lidhje me rregullat e udhëtimit.

E rëndësishme është që shtetasit që udhëtojnë drejt Britanisë, qofshin këta shqiptarë apo dhe britanikë apo çdo lloj shtetasi të kenë bërë një test RT-PCR brenda 72 orëve, i cili të ketë rezultuar negativ, ndërkohë që shqiptarët që udhëtojnë drejt Britanisë kërkohet të vetëizolohen për 10 ditë pasi mbërrijnë në Britaninë e Madhe.”, thuhet nga përfaqësues të Ambasadës.

Udhëtimet turistike për në Francë të mbyllura deri në 1 qershor

Në Francë, situata emergjente zgjat deri në 1 qershor dhe testi negativ PCR është detyrim për ata që udhëtojnë dhe duhet të jetë jo më i vjetër se 72 orë.

Udhëtimi drejt Francës bëhet vetëm me arsye të bindshme të dëshmuara: arsye familjare, emergjencë shëndetësore ose profesionale në të kundërtën refuzohet hyrja.

Sipas përfaqësuesve nga Ambasada Franceze në Tiranë “nuk ka ende diçka për të thënë, nëse shqiptarët e vaksiunuar do të lejohen apo jo të udhëtojnë drejt Francës, pavarësisht llojit të vaksinës që mund të kenë bërë”.

Deklarata e të enjtes e krerëve evropianë, përsa i përket rregullave të reja të udhëtimit drejt vendeve të BE nga qytetarët e vendeve të treta si Shqipëria, bën me dije se po vijojnë të aplikohen kritere të tjera, përfshirë edhe tendencë të stabilizuar apo në rënie të rasteve të reja, si dhe numri i testeve të kryera, shkalla e pozitivitetit 4% mbi të gjitha testet e kryera apo besueshmëria e informacionit të disponueshëm.

Austria: Do të veprojmë sipas vendimit të BE

Nga Ambasada Austriake gjithashtu bëhet me dije se nuk ka ndonjë negociatë mes dy vendeve për hapjen e kufirit pavarësisht nëse janë shqiptarë të vaksinuar me vaksinën kineze apo ndonjë lloj tjetër vaksine përveç atyre të miratuara nga EMA.

“Nuk ka ende asnjë njoftim zyrtar për mënyrën se si do të procedohet, por për momentin rregullat për udhëtimin në Austri nuk kanë ndryshuar. Rregullat e reja përcaktohen nga Ministria e Jashtme në Austri dhe ne do të njohim sigurisht të gjithë vaksinat e miratuara nga EMA. Megjithatë duhet të presim se çfarë do të vendoset edhe nga BE dhe më pas do të veprojmë. Për momentin nuk kemi ende diçka të shkruar përsa i përket kësaj gjëje”, thuhet në reagimin e Ambasadës Austriake.

Greqia: Presim vendimin e BE

Nga Ambasada e Greqisë gjithashtu thuhet se është shumë shpejt për të thënë diçka në lidhje me rregullat e reja sipas të cilëve do të udhëtojnë qytetarët shqiptarë. Pikërisht në këta rregulla përfshihet edhe nëse mund të udhëtojnë drejt Greqisë shqiptarët e vaksinuar me vaksinën kineze apo çfarëdo lloj vaksine tjetër.

“Për momentin nuk ka asgjë të re.  Çdo gjë do të vendoset pasi të kemi një njoftim dhe vendimi varet nga ajo çfarë Bashkimi Evropian do të vendosë në fund të majit apo në fillim të qershorit” deklarojnë për Gazetasi.al, përfaqësues nga Ambasada e Greqisë në Shqipëri, ndërsa Athina njoftoi këtë të shtunë se kufizimet janë në fuqi deri në 31 maj me Shqipërinë, ndërsa Kapshtica u hap vetëm për punëtorët sezonalë.

Sipas deklaratës së të enjtes të Këshillit të BE, kur të heqin kufizimet për udhëtimet turistike nga vende si Shqipëria, vendet anëtare të BE duhet të marrin parasysh reciprocitetin rast pas rasti.

Pasi të miratohet, rregullorja digjitale e certifikatës së gjelbër do të sigurojë bazën, përmes një akti zbatues të Komisionit, për trajtimin e certifikatave të vaksinimit të vendit të tretë ekuivalent me certifikatat digjitale të gjelbra.

Deri në atë moment, shtetet anëtare duhet të jenë në gjendje të pranojnë certifikata të vendit të tretë, që përmbajnë të paktën një grup minimal të dhënash, në përputhje me ligjin kombëtar dhe duke marrë parasysh nevojën për të qenë në gjendje të verifikojnë vërtetësinë, vlefshmërinë dhe integritetin e certifikatës.

Aktualisht vendet e BE-së janë të mbyllura për udhëtarët shqiptarë, me përjashtim të rasteve urgjente, ndërsa në shumë raste kërkohet testi negativ PCR. Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë