Politike

Udhëtim nëpër “sarajet” e sekuestruara të Adriatik Llallës

Pak pasi lë autostradën e re Tiranë-Elbasan dhe futesh në rrugën e vjetër për ne, por rruga e përditshme e banorëve të zonës, veshët bien në qetësi nga zhurma e motorëve dhe borive të shoferëve të paduruar në rrugë. Drejt pronave të sekuestruara të ish-Kryeprokurorit të Republikës, Adriatik Lalla…

Ecim edhe disa kilometra të tjerë, futemi në Mullet dhe aty marrim rrugën që gjarpëron mes kodrave dhe gjelbërimit. Anës saj punonjës të një kompanie private punojnë me kapele mbi kokë për t’u mbrojtur nga rrezet e forta të diellit.

“Çfarë po bëni këtu?”, i pyesim.

“Po hapim kanalin ku do të shtrohet energjia elektrike dhe interneti”, na përgjigjen pa e vrarë shumë mendjen se pyetja jonë mund të ishte një “kurth” për të marrë drejtimin që kërkonim. I pyetëm më pas nëse rruga ku ndodheshim ishte e duhura për në fshatin Qeha-Shytë. “Po – , na thanë – vazhdoni edhe 2-3 kilometra dhe arrini në fshat”.

Ndoqëm këshillën dhe një tabelë orientuese me një shigjetë drejtuar djathtas me mbishkrimin “Qeha” na përforcoi atë që na thanë punëtorët në rrugë. Sa më shumë i afroheshim fshatit, aq më shumë shtoheshin parcelat e arave të lëna djerrë në anë të rrugës. Në sy na ra puna gjigante që po bëhej për ndërtimin e një resorti luksoz, që më vonë do të mësonim nga banorët se “do të ishte qendra më e madhe e hipizmit në Ballkan”.

Kantieri ku po ndërtohet resorti i argëtimit dhe hipizmit

E lamë kantierin e ndërtimit pas krahëve dhe vazhduam drejt. U ndalëm në qendrën e fshatit ku ndjehej më i theksuar ritmi i ngadaltë i jetës rurale shqiptare. Zgjodhëm strehën e lokalit të vetëm që ndodhej aty për t’u qetësuar pak dhe për t’u miqësuar me banorët. U ulëm e folëm me ta. I pyetëm nëse ishim në Qeha-Shytë apo jo.

“Këtu jeni në Qeha! Shyta është pak më lart, po ngaqë ne jemi dy fshatra të vegjël në letra na kanë futur si një fshat të vetëm”, thotë kamarieri.

 Në tavolinën ngjitur dy burra rreth të 50-ave po freskoheshin me nga një birrë. Hymë direkt në temë dhe pasi u thamë “ju bëftë mirë” i pyetëm nëse dinin gjë se ku ishin pronat e sekuestruara nga prokuroria të ish-kreut të këtij institucioni, Adriatik Llalla.

Direkt pas kësaj në portretet e dy burrave u vu re një stepje, një trembje dhe që të dy instiktivisht ngritën në të njëjtën kohë supet.

“Nuk dimë gjë. Unë në Facebook kam dëgjuar që kështu-kështu, po nuk di gjë. Këtu kanë blerë shumë prona njerëz nga Tirana”, thotë njëri prejt tyre.

U përpoqëm të mësojmë më shumë, por çdo përpjekje e jona haste në murin e naivitetit të përzier dukshëm me frikë të dy burrave për të folur lirshëm. Fillimisht kujtuam se vërtet nuk dinin gjë, por nga bisedat e tjera na u provua e kundërta.

Vazhduam pak më lart, drejt gjysmës tjetër të fshatit e njohur vetëm si Shytë për banorët. Rrugës takojmë një banor, që po nxitonte i djersitur, me gjasa për tek lokali i fshatit për t’u freskuar edhe ai.

Pasi u prezantohemi, u drejtojmë të njëjtën pyetje, nëse kishte dijeni se ku ishin pronat e Adriatik Llallës. “Unë s’di gjë, po thonë që i ka atje poshtë”, na thotë, duke treguar me gisht pjesën e tokës së lënë djerr para resortit luksoz që po ndërtohej aty. Edhe me këtë banor u përpoqëm të mësojmë diçka më shumë, por më shumë se një gisht tregues të dyshimtë për vendndodhjen e pronave nuk morëm.

Disa metra me tutje takojmë një tjetër banor. Nuk dukej aq i ndrojtur sa të tjerët dhe na thotë diçka më shumë, por pa pranuar që t’i bëjmë foto dhe pa dashur që të na thotë emrin.

“Janë atje përballë atij resortit që po ndërtohet. Do jetë me kënde lojërash për fëmijë e të rritur dhe qendra më e madhe e hipizmit në Ballkan”, rrëfen ai duke na treguar me gisht në të njëjtin drejtim që na tha banori para tij.

Sërish nuk ishim të bindur plotësisht se ishte ajo pronë dhe kërkonim që të hiqnim plotësisht dyshimet që na kishin mbetur. Vazhdojmë ngadalë edhe më lart, por sa më shumë ngjiteshim drejt qendrës së Shytës, aq më të rralla bëheshin shtëpitë dhe po aq të paktë njerëzit që mund të gjenim në rrugë.

Toka e shtrirë përballë vendit ku po ndërtohet resorti i argëtimit, mes Fikasit dhe Qeha-Shytaj, që banorët thonë se e ka Adriatik Llalla

Arritëm në qendër dhe ndaluam sërish në një lokal. Edhe për ne, kafja në Shytë ishte një institucion. Ku më mirë se në një vend të vogël, ku mblidhen të njëjtit njerëz mund të merrnim një përgjigje për pyetjet që po na mundonin që prej nisjes nga Tirana? Në një tavolinë ndodheshin të ulur një grup djemsh adoleshntë, ndërsa veçmas një burrë që dukej pak mbi të 40-tat. Ishte “preja” jonë më e lehtë për të mësuar diçka më tepër.

Iu ulëm afër dhe nisëm të pyesnim. Pasi nis e flet të njëjtat gjëra që na treguan banorët e tjerë që kishim pyetur e ftojmë që të na bashkohet në tavolinë. Aty vazhdon e na thotë diçka më shumë. “Këtu është bërë nami me tokat. Jo këtu tek ne, po atje në Qeha. Ca i kanë blerë, ca i kanë marrë me zor, ca me falsifikime”, tregon ai.

Nuk dëshiron që ta fotografojmë dhe as që t’i zbulojmë identitetin. “Jo s’e kam frikë të flas, po nuk është se di shumë gjëra unë”, na thotë.

E pyesim se si janë ndarë tokat në këtë zonë. Na tregon se diku është ndarë përmes ligjit 7501 dhe diku tjetër toka është marrë në përdorim me “forcë” e më pas edhe është legalizuar nga ata që e kanë marrë. Për pronat e Adriatik Llallës flet më i bindur se banorët e tjerë. “Atje janë përballë atij resortit që po ndërtohet, përveç serrës se atë e ka dikush tjetër dhe nuk ja ka marrë dot atij. I ka të gjitha nga resorti e deri tek lumi Erzen”, na thotë.

Informacioni që morëm ishte më i bollshëm se ai që kishim, por sërish i pamjaftueshëm. U rikthyem mbrapsht dhe ndaluam sërish në fshatin Qeha. U rikthyem në lokalin e vogël ku ndaluam fillimisht. Një pyetje të fundit për kamarierin po për pronat e Adriatik Llallës.

“Nuk di gjë, se po të dija do ta thoja. Po di që njëri këtu në fshat u përplas me të dhe u zu disa herë për punën e tokave”, deklaron i riu, që nuk dëshiron as që të identifikohet vetë, por as që të na japë emrin e banorit, i cili ishte përplasur me njerëzit e ish-kryeprokurorit për tokën. Pyetëm banorë të tjerë dhe na thanë që quhej Bledi. U përpoqëm ta kontaktojmë, por nuk arritëm.

Kodrat e mbjella kryesisht me ullinj në fshatin Qeha-Shytaj

Nisemi drejt Tiranës. Rrugës ndalojmë në zonën që na adresuan banorët si pronë e dyshuar e Adriatik Llallës. Në terren nuk ka asnjë shenjë dalluese që ajo është nën sekuestrim, ndërkohë që mes parcelave të lëna djerr sheh një serrë lulesh në mes, pikërisht ajo serra që na thanë se Llalla nuk e kishte marrë dot.

Shkrepim disa fotografi edhe këtu dhe më pas fillojmë rrugën drejt Tiranës. Rrugës ndaluam tek njësia administrative për të mësuar diçka më shumë. Në zyrën e tokave gjetëm dy djem të rinj e të qeshur, por që u bënë shumë seriozë kur i pyetëm nëse e dinin se ku ndodheshin pronat e sekuestruara të Adriatik Llallës. Nuk morëm asgjë më shumë se sa informacioni që kishim dëgjuar nga banorët e fshatit.

Marrim rrugën sërish dhe pa u futur në segmentin që lidh TEG-un me Tiranën kthejmë majtas, për në Mjull Bathore. Pikërisht këtu ndodhet njëra prej pronave të Adriatik Llallës të vendosura nën sekuestro preventive nga Prokuroria. Bëhet fjalë për 3 dynym ullishte të ndodhura në fund të një blloku ndërtimesh vilash luksoze.

Banorja e parë që pyetëm na bëri direkt me gisht drejt faqes së një kodre që e kishim përbri. “Kjo është?”, e pyetëm për t’u siguruar. “Po”, na tha.

Pyesim një tjetër banor, por që na e pret shkurt se nuk dinte gjë dhe as që kishte parë njeri të kujdesej për ullishten në fjalë.

“S’e di kush i ka, unë nuk kam parë njeri që të merret me ata ullinj”, na thotë.

U përpoqëm që të gjejmë të tjerë banorë, por orari i drekës i kishte strukur të gjithë nëpër banesa për t’i shpëtuar vapës dhe i vetmi që takuam ishte një punonjës i policisë së shtetit në vendrojën e një vile rezidenciale, që po ashtu na thotë se nuk dinte gjë.

Por, nëse për banorët është thuajse “tabu” të flasin për pronat e Adriatik Llallës në zonat e tyre, në regjistrat shtetërorë nga dhjetori i 2016 deri në maj të 2017, Adriatik Llalla ka blerë nga shtetasi Gazmen Brahimi për rreth 15 mln lekë 22 mijë metra katrorë tokë, 19 mijë metra katrorë  të vendosur në Qeha-Shytaj dhe pjesa tjetër në Mjull Bathore.

Llalla i përfshiu tokat në procesin e rivlerësimit menjëherë pas blerjes dhe sipas çmimeve të referencës, vlera e tyre totale u gjashtëfishua duke kapur shifrën e 94 milionë lekëve.

Ullishta e vendosur në fund të një zone rezidenciale vilash luksoze në Mjull Bathore

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë