Projekti Bushi në futbollin kuqezi nuk ka përfunduar, përkundrazi, ai do të vazhdojë të paktën deri në fundin e vitit 2026. Njoftimin për rinovimin e kontratës mes FSHF dhe trainerit të Kombëtares U21 e dha vetë institucioni më i lartë në futbollin vendas. I mbiquajtur “Loku”, Alban Bushi është në drejtim të futbollit të moshave prej vitit 2015 kur mori drejtimin e Shqipërisë U16. Vetëm pas një viti ai u promovua në krye të skuadrës që drejton aktualisht. Post të cilin do të vazhdojë ta mbajë edhe për 24 muajt e ardhshëm. Ndërsa në vitin 2017 ai drejtoi përkohësisht Shqipërinë U20.
Sa i përket karrierës si futbollist, ai luajti për 12 klube në 6 shtete të ndryshme për 19 vite rradhazi. Zhvilloi 359 ndeshje dhe shënoi 118 gola duke u shpallur kampion në Shqipëri me Tiranën në sezonin 1996-1997. Gjithashtu fitoi edhe dy tituj të tjerë në futbollin bullgar në sezonet 1997-1998, 1998-1999 në rradhët e Litex Lovech. Në Shqipëri ai veshi edhe fanellën e Flamurtarit dhe Partizanit. Ndërsa në futbollin turk luajti për Adanaspor, Istanbulspor dhe Trabzonspor.
Jo vetëm kaq, ai luajti edhe në kampionatin grek ku përfaqësoi Apollon Smyrni, Levadiakos dhe Apollon Kalamarias. Si trainer ai ka fituar “UEFA Development Tournament” në vitin 2015 kur drejtonte Shqipërinë U16. Në njoftimin e saj, FSHF vlerëson punën e Bushit dhe stafit të tij në krijimin e – “hapësirës së rëndësishme për zhvillimin e talenteve të rinj dhe për përgatitjen e tyre për ekipin e parë Kombëtar. Rinovimi i kontratës me trajnerin Alban Bushi synon të sigurojë vazhdimësinë e këtij procesi” mbyllet njoftimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.