Ngjarje

‘U zumë, sepse po më shikonte’, dëshmia në polici e 14-vjeçarit që vrau bashkëmoshatarin

Pasditen e së martës 14-vjeçari, autori i vrasjes së bashkëmoshatarit të tij, është marrë në pyetje nga policia ku dhe ka deklaruar arsyen pse është zënë dhe pse ka goditur me thikë 14-vjeçarin Martin Cani.

Ai ka pohuar se sherri kishte nisur që ditën e premte.

"Jemi zënë të premten sepse po më shikonte. E kishim lënë për t'u sqaruar. Pastaj jemi zënë sërish të hënën. Ai lajmëroi shokët, si dhe unë shokët e mi. Gjatë përleshjes, ndodhi ajo që ndodhi", ka deklaruar 14-vjeçari.

I pyetur nëse është penduar, ai nuk ka pranuar të flasë.

Ndërkohë, as thikën nuk ka treguar se ku e ka fshehur. Ai ka thënë se nuk e kishte në shkollë brenda, por e kishte fshehur diku aty afër.

“...Ai lajmëroi shokët si dhe unë shokët e mi. Gjatë përleshjes ndodhi ajo që ndodhi”, ka thënë ai.

Gjithçka është mbyllur aty për aty pa u bërë e madhe dhe pa thërritur në shkollë prindërit e të miturve të përfshirë në debat. Sipas dëshmisë së autorit, të dy kanë lajmëruar shokët dhe pas mësimi ka nisur edhe përleshja me grushte, në një rrugicë qorre vetëm 200 metra larg shkollës.

Cani thirri shokun e tij që luanin së bashku në skuadrën e U-15 me Dinamon, i cili ishte nxënës i shkollës “Mustafa Qemal Ataturku” në Sauk. Edhe ai, futbollist, mbeti plagosur ndërkohë që edhe autori kishte marrë në ndihmë një shok të tij, nxënës i shkollës Fan Noli, por deri më tani ai nuk del i implikuar në ngjarje pasi roli i tij ka qenë vetëm për të ndarë palët.

Autori bashkëmoshatar, mori gjithashtu një plagë aksidentale në parakrah gjatë përleshjes. U largua me vrap drejt pazarit të ri, derisa të njohur të tij e çuan një makinë në një spital privat për mjekim. I mituri u arrestua në ambientet e spitalit për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje. Në rrjetet sociale reklamonte me trimëri edhe thikën me të cilën i mori jetën bashkëmoshatarit. Ndërkohë, Cani ndërroi jetë në spitalin e Traumës dhe një ditë më parë u përcoll për në banesën e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë