Ngjarje

U vra në ditën e parë të punës në Velipojë, kamerierët e Shkodrës mbledhin bakshishe për familjen e Musaenit

Musaen Zeneli, 20-vjeçari që mbeti i vrarë në masakrën e Velipojës, është përcjellë këtë të hënë në banesën e fundit. Shkodra i ka dhënë lamtumirën një prej katër viktimave të luftës për plazhin mes dy bizneseve në zonën turistike të qytetit.

Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B.Sytari, mori pjesë në funeralin e të riut dhe duke iu drejtuar pjesëmarrësve që kishin ardhur për të shprehur ngushëllimet e tyre, ai theksoi se njeriu ka ardhur në këtë botë për ta jetuar jetën e tij të përkohshme me besim e dinjitet, për të ndërtuar e zhvilluar të mirën, jo për ta konsideruar atë si mallin më të lirë e të pavlerë.

Ndërkohë, me qindra shqiptarë janë sensibiluar dhe të gjithë së bashku kanë kontribuar për familjen e Musaen Zenelit, i cili humbi jetën në ditën e parë të punës në masakrën e ndodhur në Velipojë.

Organizata USA ALBANIAN SOCIETY ka hapur një llogari në ndihmë të familjes Zeneli dhe mësohet se brenda pak orësh janë mbledhur rreth 10 mijë dollarë.

Po ashtu, në Shkodër, disa dhjetëra kamerierë dhe jo vetëm, kanë nisur mbledhjen e bakshisheve të ditës së sotme në lokalet e qytetit verior, si ndihmë për familjen Zeneli, e cila jeton në kushte të vështira ekonomike.

Rehyl Toska, një nga kamarierët më të vjetër të Shkodrës, thotë se kjo nuk do e ringjallë djalin, por do e lehtësojë sadopak dhimbjen e familjarëve të tij.

"Përshëndetje, unë jam Rehyl Toska, një kamarier në Shkodër. Marr shkas nga ngjarja e djeshme që ka ndodhur në Shkodër, ku mbeti i vrarë një koleg i joni në plazhin e Velipojës. I bëj thirrje menaxherëve, kamarierëve, administratorëve që të bashkohen me nismën time që bakshishet e sotme të shkojnë për Muserinin. Atë bakshish që ai nuk arriti me realizu, sadopak me ia mbledh ne. Faleminderit”, - thotë ai.

Zeneli ishte viktimë e pafajshme e masakrës në Velipojë. Prej muajsh ai mundohej të mbante familjen ekonomikisht. Jetonte vetëm me nënën, pasi babain e kishte humbur. Ai mbyt në Lumin Drin. Që prej asaj kohe duhet të përkujdesej për nënën dhe vëllain e tij.

E shtuna ishte dita e parë e tij në punë, të cilën e mbylli pak pas mesnate, pa e ditur se nuk do të kthehej më në shtëpi. Një plumb fatal në zemër i mori jetën 20-vjeçarit shkodran.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë