Lajme

U vidhnin varëset të moshuarave, në pranga hajdutët në Durrës

Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy persona, pasi u vidhnin me forcë varëset e floririt nga qafa grave të moshuara në hyrje të pallateve.
Policia thotë se njëri prej autorëve ishte person në kërkim me masë sigurie “Arrest në burg” për vjedhje.
Në sajë të operacionit policor “Jewellery”, policia ka vënë në pranga shtetasin E. T., 34 vjeç banues në fshatin Arapaj, Durrës dhe shtetasin A. G., 35 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Kavajës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Vjedhja”.
Këta shtetas në mesditën e datës 10 dhjetor në lagjen Nr. 16, Durrës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në hyrje të pallatit i kanë marrë me forcë një varëse floriri shtetases I. T., 68 vjeçe dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin tip “Opel” që e përdornin për të realizuar vjedhjet.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti tip “Opel” që e përdornin për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Po ashtu, janë zbardhur 7 vjedhje me forcë të varëseve të floririt, të kryera nga këta shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë