Lajme

U vetëvar në qeli, i dënuari humb jetën në Spitalin e Traumës

Një prej të burgosurve në IEPV-në e Beratit ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë ditën e djeshme. Bujar Murati, 38 vjeç, nga fshati Lybeshë në Poliçan u vetëvar në qelinë e tij në 13 mars 2019.

Ai vuante prej disa muajsh dënimin në IEPV-në e Beratit për “mashtrim” dhe u gjet i vetëvarur në qelinë e tij nga gardianët e turnit dhe u dërgua menjëherë në Spitalin Rajonal.

Mjekët e spitalit konfirmuan atë mbrëmje se Murati kishte pësuar vdekje klinike dhe kishte mbërritur në spital në gjendje kome.

Për këtë arsye mjekët e Repartit të Urgjencës së Spitalit e nisën me ambulancë në Spitalin e Traumës në Tiranë për një trajtim më të specializuar. Por 38-vjeçari me gjithë trajtimet e marra për rreth 2-javë nuk ka mundur dot t’i shpëtojë vdekjes.

Ai ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe është përcjellë nga familjarët për në banesën e fundit në fshatin e tij të lindjes në Lybeshë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë