Rend dhe Ligj

U skualifikua nga KLP, padia e avokatit shtyn zgjedhjen e kryeprokurorit

Avokati Lulzim Alushaj ka paditur në Gjykatën Administrative vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë që e skualifikoi nga gara për mandatin 7-vjeçar të Prokurorit të Përgjithshëm. Alushaj u skualifikua nga KLP një javë më parë me arsyetimin se nuk plotësonte kriterin e 15 viteve punë si jurist i spikatur.

Padia është dorëzuar në Gjykatën e Apelit Administrativ në Tiranë. Alushaj pretendon në padinë e tij se Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk i ka llogaritur si “jurist i spikatur” vitin e punës dhe aktivizimit si jurist pas diplomimit në Jurispridencë në 2004 në Universitetin e Bolonjës. Ai kërkon që përvoja në punë si jurist i spikatur t’i përllogaritet që nga 2004 dhe jo nga 2005, kur ka marrë titullin avokat në Itali.

Avokati Alushaj kërkon rikthimin në garë, ndërkohë që padia në fjalë shtyn me të paktën disa javë vendimmarrjen përfundimtare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri me “kohë të plotë”.

Në pritje të vendimit të Apelit, të konfirmuara nga KLP janë kandidaturat e Olsian Çelas, Arta Markut dhe Fatjona Memçajt. Kandidatët do t’i nënshtrohen vlerësimit me pikë dhe më pas do të hartohet renditja e listës me tre emra që do t’i dorëzohet Kuvendit.

Sipas ndryshimeve të Kushtetutës në kuadër të reformës në drejtësi, Parlamenti duhet të zgjedhë me 84 vota një emër nga lista në fjalë. Nëse Parlamenti dështon që të zgjedhë një emër brenda 30 ditëve nga marrja e listës së dorëzuar nga KLP, atëherë kandidati i renditur i pari në këtë listë emërohet automatikisht kryeprokuror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë